Do të kërkojmë poste ministrore për t’u bërë pjesë e qeverisë

15 nëntor 2019 | 16:38

Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, ka thënë se për t’u bërë pjesë e koalicionit të ardhshëm qeverisës kjo parti do të kërkojë poste ministrore.

Ai ka treguar se kjo parti në Kuvendin e Kosovës përfaqësohet me dy deputetë dhe i takon një ministri.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Damka ka deklaruar se me marrjen e përgjegjësive të reja në qeverinë e re do të bëjnë punë produktive ashtu siç kanë bërë edhe në qeveritë e kaluara.

“Në qeverinë e re si me deputetë nga komuniteti turk, sigurisht do të kërkojmë detyra ministrore. Unë besoj që si komuniteti turk kemi bërë punë të lëvdueshme në qeveritë e kaluara. Do të bëjmë punë edhe më të mira në qeverinë e re”, ka thënë ai.

I pari i KDTP-së ka përmendur edhe kërkesat e tjera të kësaj partie që do t’i ketë ndaj mandatarit për formimin e qeverisë. “Një nga kërkesat tona do të jetë që të kemi më shumë përfaqësim të komunitetit turk në institucionet e Kosovës, duke mos dhënë kushte për krijim e qeverisë”, është shprehur ai.

Damka si kryetar i ri i kësaj partie ka folur edhe për procesin e brendshëm partiak që e ka bërë shef të KDTP-së. Ai është zotuar se do të angazhohet për zgjidhjen e të gjitha problemeve të komunitetit turk në Kosovë.

“Falënderoj edhe një herë të gjithë delegatë që më kanë zgjedhur mua kryetar të partisë. KDTP-ja është partia e vetme që përfaqëson komunitetin turk në Kosovë. Kështu që detyrat tona kryesore janë: të interesohemi për problemet në komunitetin turk në Kosovë, t’i krijojmë zgjidhjet për problemet, sidomos në arsim dhe në kulturë. Gjithashtu, punësimi i të rinjve nga komuniteti turk është një nga përparësitë tonë”, ka thënë Damka. Ai nuk është shprehur i kënaqur me rezultatin që kjo parti ka arritur në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.

Damka është zotuar se do të angazhohet maksimalisht që ta rritë numrin e votave për këtë parti në zgjedhjet lokale. “Rezultatet e zgjedhjeve më 6 tetor janë shembulli më i dukshëm i nevojës për ndryshimin në tërë Kosovën. Dua të them se kemi pësuar ulje të votave për sa i përket KDTP-së dhe nuk jam kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve. Por besoj se do t’i analizojmë mirë rezultatet e zgjedhjeve dhe do të mundohemi të rrisim këtë në zgjedhjet lokale”, ka thënë Damka.

 “Epoka e re”: Cilat do të jenë prioritetet e Partisë Demokratike Turke të Kosovës?
Damka: Së pari nëpërmjet kësaj interviste dua t’i falënderoj edhe një herë të gjithë delegatët që më kanë zgjedhur kryetar të partisë. KDTP-ja është partia e vetme që përfaqëson komunitetin turk në Kosovë. Kështu që detyrat tona kryesore janë: të interesohemi për problemet në komunitetin turk në Kosovë, t’i krijojmë zgjidhjet për problemet sidomos në arsim dhe në kulturë. Gjithashtu, punësimi i të rinjve nga komuniteti turk është një nga përparësitë tonë.

 “Epoka e re”: Për një kohë të gjatë në krye të kësaj parti ka qenë z. Mahir Jagxhillar. Sa sfiduese do të jetë për ju ta zëvendësoni një lider që ka drejtuar këtë parti që nga paslufta?
Damka: Z. Mahir Jagxhillar për një kohë të gjatë ishte kryetar i partisë dhe ka dhënë kontribut për komunitetin turk dhe tërë Kosovën. Ky është një ndryshim i flamurit dhe ne do të përpiqemi ta ngremë atë më lart se sa ai ku u la. Si deputet i cili deri më tani kam vepruar si përfaqësues i partisë për tri mandate në Kuvendin e Kosovës, jam plotësisht i sigurt, bashkë me ekipin tim, se do të jemi në gjendje ta vazhdojmë agjendën e re në këtë periudhë.

 “Epoka e re”: Sa jeni i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit?
Damka: Rezultatet e zgjedhjeve më 6 tetor janë shembulli më i dukshëm i nevojës për ndryshim në tërë Kosovën. Dua të them se kemi pësuar ulje të votave sa i përket KDTP-së dhe nuk jam kënaqur me rezultatet e zgjedhjeve, por besoj se do t’i analizojmë mirë këto rezultate të zgjedhjeve dhe do ta rrisim këtë në zgjedhjet lokale.

 “Epoka e re”: Zyrtarët e kësaj partie janë takuar me fituesin e zgjedhjeve, z. Albin Kurti. A do të kërkoni ndonjë ministri për t’u bërë pjesë e qeverisë së re?
Damka: Në qeverinë e re me dy deputetë nga komuniteti turk sigurisht do të kërkojmë detyra ministrore. Unë besoj që si komuniteti turk kemi bërë punë të lëvdueshme në qeveritë e kaluara. Do të bëjmë punë edhe më të mira në qeverinë e re. Një nga kërkesat tona do të jetë që të kemi më shumë përfaqësim të komunitetit turk në institucionet e Kosovës.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kokrrat e trëndafilit të egër (kaçave) janë nga bimët medicinale…