Do të përpiqet Evropa të forcojë diplomacinë me Rusinë?
Në Bruksel po shtohet debati rreth emërimit të një të dërguari të posaçëm të BE-së për t`u marrë me Rusinë. Megjithatë, përçarjet e brendshme mund ta pengojnë bllokun të luajë një rol vendimtar.
Evropa është gjithnjë e më e shqetësuar për mungesën e saj në bisedimet për paqen Rusi-Ukrainë. Si reagim ka pasur diskutime në rritje brenda BE-së në lidhje me emërimin e një të dërguari të posaçëm për t’u angazhuar drejtpërdrejt me Moskën.
Pas raundit në Abu Dhabi për herë të tretë u zhvilluan bisedime trilaterale me qëllim që t’i jepet fund luftës së Rusisë në Ukrainë. Raundi i bisedimeve në Gjenevë (18.02.2026) me pjesëmarrjen e delegacioneve nga Ukraina, Rusia dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së Steve Witkoff dhe dhëndrin e presidentit Donald Trump, Jared Kushner, përfunduan brenda dy orësh. Lidhur me rezultatet konkrete të bisedimeve nuk pati të dhëna as nga drejtuesi i delegacionit rus dhe as nga ai delegacionit ukrainas. Evropa nuk ishte e përfaqësuar në këto bisedime as në Abu Dhabi dhe as në Gjenevë.
Në luftën nëUkrainë qasja e BE-së ndaj Rusisë është përqendruar në ushtrimin e presionit ekonomik përmes sanksioneve dhe mbështetjes ushtarake për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë marrë një rol në kryesor në bisedime. Çdo lëvizje për të folur drejtpërdrejt me presidentin Vladimir Putin përmes një të dërguari të koordinuar të BE-së do të përfaqësonte një ndryshim taktik.
Ekonomistja dhe ekspertja e politikës Elina Ribakova thotë, se pjesëmarrja evropiane është thelbësore për të shmangur anashkalimin e interesave rajonale. “Pa Evropën, ne mund të kishim parë tashmë ‘paqe’ ku Rusia, me ndihmën e SHBA-së, do ta detyronte Ukrainën të bënte lëshime”, i tha ajo DW, duke shtuar, “kjo do të minonte sovranitetin e saj dhe do t’i ekspozonte vendet e tjera në rajon kundrejt pretendimeve ruse për të drejtën sipas perceptimit të saj për ‘sferë ndikimi’ në Evropën Lindore”.
Në të njëjtën kohë, është e paqartë se çfarë do të arrinte në të vërtetë diplomacia e BE-së me Rusinë. Ribakova vëren se angazhimi me Moskën do të ishte para së gjithash një veprim simbolik, por eventualisht mund të kishte disa rezultate më të prekshme.
Dalin në pah përçarje ndërmjet anëtarëve të BE-së
Megjithatë, çdo nismë diplomatike evropiane është e ndërlikuar për shkak të përçarjeve të brendshme. Shtetet anëtare kanë vlerësime të ndryshme lidhur me qasjen ndaj Rusisë. Presidenti francez Emmanuel Macron ka mbështetur ruajtjen e kanaleve të dialogut me Moskën, edhe pas pengesave të përsëritura diplomatike. Kohët e fundit, Franca dërgoi një diplomat të lartë për t’u takuar me homologun e tij rus.
Gjermania gjithësesi ka përdorur shpesh një ton më të kujdesshëm. Gjatë konferencës së fundit të sigurisë në Mynih, kancelari gjerman Friedrich Merz shprehu hezitim lidhur me marrëdhëniet me Rusinë. “Nëse ka kuptim të flasim, ne jemi të gatshëm të bisedojmë, por rusët duhet ta pranojnë se vërtet kanë gatishmëri të bisedojnë për një armëpushim dhe më pas për një plan paqeje”, tha ai.
Vendet e Evropës Lindore kanë frikë se lëshimet e parakohshme mund ta inkurajojnë MoskënHungaria dhe Sllovakia vazhdojnë të varen nga energjia ruse pavarësisht luftës së saj ndaj Ukrainës..
Ribakova, e cila punon për Institutin Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare, grupin e ekspertëve Bruegel në Bruksel dhe si zëvendëspresidente për politikën e jashtme në Shkollën e Ekonomisë në Kiev, thotë se këto mosmarrëveshje nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht dobësi. “Përçarjet nuk janë të këqija”, argumenton ajo. “Disa nga vendet mund të duan të mbajnë anën e SHBA-së dhe (disa të tjera) të Rusisë, por këto janë ende larg shumicës në BE”, tha ajo. “Si rezultat, do të ketë presion nga BE-ja – edhe nëse jo në unison të plotë – për të njohur interesat e Ukrainës.”
Jo të gjithë analistët janë të bindur se emërimi i një të dërguari të posaçëm do të sqaronte strategjinë e Evropës. Kristi Raik e Qendrës Ndërkombëtare për Mbrojtje dhe Siguri tha se BE-ja së pari duhet të përcaktojë qartë objektivat e saj përpara se të angazhohet me Moskën.
Megjithatë, Ribakova argumenton se “në një botë ideale, do të ishte mirë ta shihnim BE-në të bashkuar, por ne nuk jetojmë në një botë ideale”. Ajo thekson, se një Evropë e përbërë nga klube të ndryshme është e mjaftueshme për të mbrojtur interesat e Ukrainës dhe të Evropës në këtë moment. “Do të isha më e shqetësuar për një qëndrim të unifikuar që do t’i lejonte Putinit të aneksonte pa u ndëshkuar pjesë të Ukrainës që ushtria ruse as nuk i ka pushtuar”.
Këto tensione të vazhdueshme pasqyrojnë një debat më të gjerë rreth mënyrës se si vepron BE-ja në skenën ndërkombëtare. Siç thotë Ribakova, diversiteti i bllokut e bën të vështirë arritjen e konsensusit të plotë: “Vendet janë vërtet të ndryshme. Pra, si kompromis, më pëlqen ideja e unitetit evropian për çështje të caktuara si anëtarë të klubeve sipas interesit.” Koalicione të tilla fleksibile mund të ofrojnë një shteg strategjik përpara kur unanimiteti duket i vështirë.
Çfarë do të bëjë BE-ja më pas?
Pavarësisht intensifikimit të diskutimeve nëse duhet të ndërmerret një hap përpara në aspektin diplomatik, BE-ja po përgatit paketën e saj të 20-të të sanksioneve kundër Rusisë në përvjetorin e katërt të pushtimit të Ukrainës. Paketa e 20-të mbulon energjinë, tregtinë dhe shërbimet financiare. Sipas Presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, të ardhurat e Rusisë nga energjia ranë me 24% në vitin 2025. “Kjo konfirmon atë që e dinim tashmë; sanksionet tona funksionojnë dhe ne do të vazhdojmë t’i përdorim ato derisa Rusia të angazhohet në negociata serioze me Ukrainën për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha ajo.



