
Dodik takohet me Putinin në Moskë, kërkon “mbështetje sigurie” nga Rusia
Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, ka kërkuar ndihmë nga Rusia për çështje që ai i cilëson si “mbështetje sigurie”, pas katër takimeve të zhvilluara me presidentin rus, Vladimir Putin, gjatë një vizite dyditore në Moskë. Ai theksoi se bashkëpunimi me Rusinë përfshin edhe mbështetje për pozicionin politik e territorial të Republikës Sërpska.
“Ajo që duam të ofrojmë dhe kërkojmë nga Rusia në periudhën e ardhshme është një sërë çështjesh që mund të përshkruhen si një lloj mbështetjeje sigurie, për të mos përmendur garancitë nga Rusia për pozicionin tonë politik dhe territorial”, deklaroi Dodik për mediat nga entiteti serb i Bosnjës.
Sipas tij, Putin ka konfirmuar gatishmërinë për bashkëpunim: “Për gjithçka që folëm rreth aktiviteteve të përbashkëta, Putin tha: ‘do ta bëjmë’”.
Në intervistat për Radio Televizionin e Republikës Sërpska (RTRS), agjencinë Srna dhe Televizionin Alternativ (ATV), Dodik shtoi: “Rusia padyshim që mbështet qëndrimin e asaj marrëveshjeje, por jo të tjerët, siç është Franca, e cila po bën gjithçka për ta degraduar atë”.
Pavarësisht se ndaj tij ekziston një fletarrestim kombëtar i lëshuar nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës për shkelje të rendit kushtetues, Dodik i është shmangur arrestimit. Ai u kthye nga udhëtimi i mëparshëm në Moskë më 1 prill pa u ndaluar, megjithëse në Bosnje veprojnë 16 agjenci policore me kompetencë për arrestim.
Ndërkohë, përfaqësuesi i Lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt, raportoi në OKB se “nuk ka rrezik për luftë”, por pranoi se situata politike është e rëndë dhe Marrëveshja e Dejtonit “nuk ka qenë kurrë më e kërcënuar”.
Dodik ishte gjithashtu i pranishëm në paradën e Ditës së Fitores në Moskë, bashkë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin sllovak Robert Fico, duke qenë ndër të paktët liderë evropianë të pranishëm.
Takimi mes Putinit dhe Vuçiçit shënoi të parin që nga nisja e pushtimit të Ukrainës, ku u nënvizua se “dialogu ruso-serb po zhvillohet vazhdimisht” dhe se kontaktet mes udhëheqësve janë të rregullta. Parada u cilësua nga Perëndimi si “propagandë” për të justifikuar agresionin rus në Ukrainë.