
Dodiku: Për pesë vjet, Republikën Srpska e shoh të pavarur
Anëtari serb i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Millorad Dodik, ka thënë se e sheh Republikën Srpska si shtet të pavarur në pesë vjetët e ardhshme.
Dodiku ka deklaruar se Bosnja dhe Herecegovina “mbijeton vetëm sepse mbahet nga faktori ndërkombëtar”, duke shtuar se “forca” është e vetmja gjë që ka mbetur për ta ruajtur atë.
“Tani Millorad Dodik është sulmuar ashpër”, i ka thënë ai “RTRS”-së, duke deklaruar se do të ishte shumë më e lehtë të tregohej unitet politik në Republikën Srpska.
Duke folur për sanksionet që i vendosi ShBA-ja pak ditë më parë, Dodiku ka vlerësuar se amerikanët janë “gati të shkojnë deri në fund”.
“Dhuna nuk i lutet Zotit dhe Zoti nuk e do dhunën”, ka thënë ai gjatë ditës së djeshme duke theksuar se të huajt po i kërkojnë të ndryshojë retorikën.
Ai ka përsëritur se në fillim të javës së ardhshme do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.