
Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës ndërmarrin aksion të përbashkët kundër kontrabandës në rajonin e Leposaviqit
Më datë 07.08.2025, Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një aksion të përbashkët në rajonin e Leposaviqit, pas pranimit të një informate operative për një automjet të dyshuar që mund të transportonte mallra të kontrabanduara pa dokumentacion përcjellës.
Rasti i parë
Gjatë patrullimit dhe kërkimeve në zonë, njësitë kanë hasur një automjet të braktisur në një rrugë anësore, i cili ishte i hapur dhe pa shofer. Brenda tij janë gjetur thasë plastikë dhe një sasi e konsiderueshme çokollatash të markave Snickers dhe Kinder, të mbuluara me letër kartoni. Automjeti ishte pothuajse i mbushur tërësisht me mall dhe është dërguar në Terminalin Doganor të Mitrovicës
Rasti i dytë
Njësitë antikontrabandes kanë ndaluar një automjet tjetër që transportonte pako të ndryshme mallrash. Pas kontrollit është konstatuar se brenda kishte kryesisht produkte ushqimore, pije joalkoolike dhe artikuj higjienikë, për të cilat shoferi nuk posedonte dokumentacion ligjor. Edhe ky automjet është dërguar në Terminalin Doganor të Mitrovicës për inventarizim të mallit.
Dogana e Kosovës thekson se do të vazhdojë aksionet e përbashkëta me Policinë e Kosovës, me fokus në parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, si dhe në mbrojtjen e ekonomisë së ligjshme të vendit.