
Dogana ndalon automjetin e dyshuar për kontrabandë në Han të Elezit, konfiskon sasi të konsiderueshme kafeje
Njësitë antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë ndaluar një automjet të dyshuar për transport të mallrave të kontrabanduara në pikën kufitare të Hanit të Elezit.
Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:30, kur rreth 50 metra poshtë pikës doganore është vërejtur një automjet i tipit “Audi” me targa të huaja pranë të cilit qëndronin disa persona.
Sipas Doganës, me afrimin e njësive, personat janë larguar, ndërsa shoferi ka tentuar të ikë drejt zonës malore.
“Gjatë kontrollit janë gjetur thasë plastikë të mbushur me pako kafeje për aparat. Automjeti është shoqëruar për kontroll të detajuar në kalimin e vjetër kufitar, ku pas verifikimit është konstatuar se malli i gjetur, për të cilin nuk kishte dokumentacion përcjellës, përbëhej nga: caffe për aparat (kapsula) – 24 paketa x 150 copë (7.2 gr secila). I gjithë malli është konfiskuar, ndërsa ndaj palës është ndërmarrë procedura ligjore sipas dispozitave në fuqi. Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe mbrojtjen e ekonomisë së ligjshme në vend”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.