
Dogana ndalon dhe asgjëson mbathje sportive të falsifikuara në Aeroportin e Prishtinës
Një sasi e konsiderueshme mbathjesh sportive për meshkuj është ndaluar dhe asgjësuar nga Dogana e Kosovës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, pasi është konstatuar se ishin të falsifikuara dhe cenonin të drejtën e pronësisë intelektuale.
Mallrat, që mbanin shenjat dalluese të disa prej brendeve më të njohura ndërkombëtare, u identifikuan gjatë një kontrolli rutinë në ZBD Aeroport – Cargo, është thënë në njoftimin e Doganës së Kosovës.
Pas ekzaminimit të detajuar, u vërtetua se ato ishin kopje dhe për rrjedhojë u shkatërruan në mënyrë të kontrolluar, nën mbikëqyrjen e zyrtarëve doganorë.
“Ndaj subjektit përgjegjës janë ndërmarrë masat ligjore përkatëse, të parapara me legjislacionin në fuqi, për përfshirje në tregti të ndaluar dhe cenim të pronësisë intelektuale. Dogana qëndron e vendosur në luftën kundër kontrabandës dhe falsifikimeve, duke siguruar mbrojtjen e pronësisë intelektuale dhe konsumatorëve”, ka njoftuar dogana.