Dogana ndalon fillerë për botoks në pikën kufitare të Vërmicës
29 tetor 2025
| 16:53
Zyrtarët doganorë të Kosovës kanë ndaluar një sasi të produkteve farmaceutike gjatë një kontrolli të rregullt në pikëkalimin kufitar të Vërmicës.
Sipas njoftimit të doganës, gjatë kontrollit të një automjeti të transportit të udhëtarëve, edhe pse shoferi kishte deklaruar se nuk posedonte mallra për deklarim, zyrtarët kanë zbuluar një çantë shpine të mbushur me fillerë për botoks.
Në njoftimin për medie është bërë me dije se pala nuk kishte asnjë faturë apo dokumentacion përkatës që të dëshmonte origjinën apo ligjshmërinë e mallrave.
Produktet janë ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e procedurave të mëtejshme ligjore, ndërsa ndaj personit të përfshirë është iniciuar procedurë për kundërvajtje, në përputhje me legjislacionin në fuqi.



