
Dogana zbulon barna të kontrabanduara në rajonin e Gjilanit, vlera mbi 4 mijë euro
Dogana dhe Policia e Kosovës, gjatë një operacioni kontrolli në dy barnatore në qytetin e Gjilanit dhe Vitisë, kanë zbuluar dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme barnash të dyshuara si të kontrabanduara.
Në njofimin e doganës është thënë se gjatë kontrollit të detajuar në ambientet e brendshme të barnatores, janë gjetur barna të fshehura, për të cilat nuk ishte paraqitur asnjë dokumentacion doganor.
“Dyshohet se këto produkte janë futur në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës, duke anashkaluar procedurat e importit dhe detyrimet doganore. Sipas vlerësimeve fillestare, vlera e barnave të sekuestruara kap shumën mbi 4000 euro”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.
Sipas njoftimit, Dogana e Kosovës ka nisur procedurat hetimore ndaj pronarit të subjektit, si dhe ka njoftuar organet përkatëse për veprimet e mëtejshme ligjore.
“Task Forca mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës, mbrojtjen e tregut të ligjshëm dhe sigurinë e qytetarëve”, ka njoftuar dogana.