Doha, ‘strofulla’ e artë e Hamasit! Nga supervilat te ngërçet në bisedime: Pse gjithçka varet nga Katari

10 shtator 2025 | 15:40

Kajro, jo: në atë hotel gjigand mbi Nil kishin shkuar për vite me radhë, por pa sukses. As Stambolli: tashmë priste negociatat për Ukrainën. Sauditët shmangnin: kishin shumë interesa gjithandej. Në fund, nuk mbetej tjetër veçse Doha. Një terren aspak neutral, por ndoshta i përshtatshëm e i pëlqyeshëm për të gjithë. Katari i vogël dhe i pasur, që kishte arritur të ruante buzëqeshjet me amerikanët dhe izraelitët, me iranianët dhe turqit.

Pa folur për atë marrëdhënie me Netanyahun, aq të veçantë sa ta tërhiqte kryeministrin brenda skandalit të “Qatargate”, një histori e ndërlikuar parash të dhëna rrethit të ngushtë të Bibit: pikërisht dje, pas një shtyrjeje për shkak të atentatit në Jerusalem, kryeministri do të duhej të paraqitej në gjyq si person i thirrur për të dhënë informacione, por ngjarjet dramatike të orëve të fundit e detyruan në një tjetër shtyrje. Dhe pra: kur i propozuan Netanyahut të hapte në Katar një kanal negociues mbi Gazën — kishin kaluar vetëm disa javë nga 7 tetori —, ai nuk u mendua gjatë dhe tha po. Duke inauguruar një tratativë të pafundme, rraskapitëse, që në fillim u duk se funksionoi. Duke nxjerrë si rezultat armëpushimin e parë, me lirimin e njëqind pengjeve. E më pas pak më shumë.

Bombardimi i djeshëm e konfirmon: në Doha kryqëzohen fatet e kësaj krize. Sepse emirati i Gjirit ka luajtur të gjitha rolet në këtë tragjedi: ka strehuar Hamasin dhe njëkohësisht bisedimet që Hamasi të dorëzohej, ka financuar me bujari sundimtarët e Rripit dhe shpesh me pëlqimin e heshtur të Netanyahut, ka financuar për një kohë të gjatë lëvizje të egra si ISIS dhe në Al Udeid mban të shkëlqyer bazën më të madhe amerikane në Lindjen e Mesme, investon miliarda në Perëndim dhe ndërkohë zotëron televizionin më pak perëndimor nga të gjithë globalët, Al Jazeera… Me fundamentalistët e Hamasit, lidhja ka një fillim të qartë. Sepse në fillim ishte Siria e Bashar Assad-it, që u jepte shtëpi dhe truproja. Pastaj erdhi Turqia e Recep Erdoganit që dërgonte ndihma në Rrip, mbështeste çdo flotilje, preferonte mjekrat pro-iraniane përpara kostumeve gri të Autoritetit Palestinez të Abu Mazenit. Zjarre të përkohshme.

Dhelpra e Damaskut dhe Sulltani i Ankarasë nuk kishin as gjysmën e rialit të Emirit. Dhe Khaled Meshal e nuhati shpejt komplotin e grushtit të shtetit të Pranverës siriane. Më 23 tetor 2012, kështu, duke shtruar qilima të kuq dhe duke lënë të valëviteshin kudo flamujt e Katarit, Madhëria e Tij Hamad bin Khalifa al-Thani u prit solemnisht në Gaza: i pari që vinte, nga gjithë bota arabe. Një sinjal që diçka kishte ndryshuar, me bekimin e administratës Obama, që po hapte kanale me Iranin dhe gjithmonë kishte pasur vështirësi të kontaktonte Meshalin, në strofullën e tij siriane.
Paratë e vërteta ranë si shi. Lulëzuan legjenda të besueshme. Në Doha, komiteti qendror i lëvizjes islamike ndërtoi një makinë të fuqishme patronazhi, prej qindra milionë dollarësh. Qëndroi larg masakrave ndaj popullit të vet, të reduktuar në ekonominë e tuneleve (të menaxhuara nga Hamasi) dhe tani të hedhur në uri nga Netanyahu. Mbi të gjitha, u ul në atë tryezë: mbulesa e gjatë e bardhë, me trëndafila të bardhë gjithmonë të freskët, ku takoheshin me ndërmjetësit katariotë, egjiptianë, amerikanë dhe ndonjëherë — shumë më diskretisht — me njerëzit e Mossad-it të David Barnea.

Villa smeraldi, llogari bankare në stilin sardanapalesk, avionë privatë, hotele me super-yje, marrëveshje pasurish të paluajtshme: udhëheqësve të Gazës nuk u ka munguar kurrë asgjë dhe emiri i ka përkëdhelur rregullisht. Edhe pse jo gjithmonë, dhe jo deri në fund. Me 7 tetorin, nën ndonjë dishdasha nisi të pulsonte nervozizmi. Dhe edhe katarianët më në fund filluan t’i bëjnë vetes pyetjen që e patën bërë më herët Assadi, Erdogani dhe ajatollahët: a ia vlen vallë?

Në nëntorin e kaluar, krisja më e madhe, kur Hamasi kundërshtoi me refuzim tjetër një marrëveshje për armëpushim dhe Doha ishte në prag të tërheqjes nga negociata. U shkëmbyen fjalë të ashpra. Dhe sipas izraelitëve, emiri në një moment u tha banorëve të Gazës fjalët fatale : “Nuk jeni më të mirëpritur këtu”. Nuk dihet nëse është e vërtetë. Miqësia mbetet, dhe trembëdhjetë vjet lidhje të forta nuk mund të fshihen në një mosmarrëveshje. Për të mos përmendur të pathënat, llogaritë sekrete, kanalet e financimit që mbetën të hapura. Doha nuk mund të mos ishte e tërbuar. Po të mos ishte për shkeljen e sovranitetit të saj: për Hamasin, kush e di? (Corriere della sera)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shqipëria do të bëhet nesër skena e një prej ngjarjeve…