Dokument: Kushërinjtë e Faton Pecit përfituan grante qindra mijëra euro nga ministria e tij

25 tetor 2025 | 15:00

Grantet e Ministrisë së Bujqësisë e udhëhequr nga Faton Peci, kishin qenë të majme ndër vite edhe për disa kultivues të kulturave të ndryshme bujqësore, me mbiemrin Peci.

Faton Peci, në fushatën e fundit për zgjedhjet lokale, kishte publikuar edhe një fotografi me krejt kusherinjtë e tij, me krenari për mbështetjen që po merrte nga Pectë.

Pecët, përveç mbështetjes për Faton Pecin, ndër vite kanë marrë mbështetje edhe nga Ministria e Bujqësisë.

Nacionale ka siguruar tri dokumente, të granteve ndër vite për disa kultura bujqësorë, që kapin vlerën e mbi 150 mijë eurove.

KLIKO LINKUN:

Në vitin 2024, Marigona Peci, kishte fituar subvencion në vlerë prej 37 mijë e 687 euro nga Ministria e Faton Pecit, me projektin që quhet “Pemishte me kumbulla dhe mekanizëm bujqësor’.

Nacionale ka kontaktuar me zonjën Marigona Peci, e cila ka konfirmuar lidhjen familjare me ministrin Peci, por thotë se kjo lidhje nuk është aq e afërt.

“Kushëri, po normal që kushëri po nuk jam shumë e afërt me të” – ka thënë Marigona Pevi për Nacionalen.

Ajo ka mohuar çdo ndikim të ministrit Peci në marrjen e grantit.

Zonja në fjalë, e cila kishte marrë grante nga Ministria e Bujqësisë, në dokumentet ku i është aprovuar ky grant, figuron edhe me emrin e babait të saj, Xhylazim Peci.

 

Nacionale ka kuptuar se në fakt, ky i fundit ishte përfitues i subvencionit, por që këtë e bëri në emër të vajzës së tij, për shkak të kritereve të kuotës gjinore, në përfitimin e subvencioneve të tilla.

 

Ndërkohë, Ekrem Peci është një tjetër përfitues i grantit në Ministrinë e Faton Pecit.

 

Në vitin 2022, ai kishte siguruar subvencion prej 80 mijë eurosh, në projektin e investimit me mekanizëm bujqësorë në një pemishte ekzistuese me kulturë të arres me sipërfaqe prej 4 hektarsh si dhe energjisë së ripërtëritshme.

 

 

Nacionale ka kontaktuar z.Ekrem Peci, por i njëjti nuk ka pranuar të përgjigjet në asnjë prej pyetjeve tona, përveç se na kërkoi të mos e pengojmë.

 

“A ka mundësi mos me m’pengu? Po jo veç pak, a ka mundësi mos me m’pengu?” – thotë Ekrem Peci për Nacionalen.

 

Violeta Peci është një tjetër përfituese e granteve nga Ministria e Bujqëisë në vitin 2022, në vlerë prej 29 mijë e 973 euro me një projekt për prodhimin e veshmbathjeve.

 

Nacionale ka kontaktuar me zonjën Violeta Peci, e cila ka mohuar lidhjet familjare me z.Faton Peci.

 

“S’kena as lidhje farefisnore, veç mbiemrin që e kena të njëjtë më Fatonin, sen tjetër”, thotë Violeta Peci.

 

Ministria e Bujqësisë ka qenë për një kohë nën kritika për dhënien e subvencioneve për familjarë të figurave të pushtetshme, përfshirë familjarë të deputetëve të Vetëvendosjes.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kompania Rajonale Ujësjellësi “Prishtina” ka njoftuar se ka turbullira në…