Doli nga shtypi “Dashavidi” i Albin Mehmetit
Shkrimtarit Albin Mehmeti, nga shtëpia botuese “Armagedoni”, sot i është botuar një vepër e re. Bëhet fjalë për romanin “Dashavidi”, i cili, sipas botuesit, Berat Armagedoni, është një prozë satirike-alegorike për një vend fiktiv që i ngjason vendit tonë. Që në paraprolog autori shfaq tonin ironik dhe kritik, duke e shndërruar Gjykatën e Dashamirit në një “mrekulli të tetë të botës”.
Një nga veçoritë më të spikatura të romanit është rrëfimtari, i cili shpesh ndërhyn, ironizon vetveten, lexuesin dhe realitetin që përshkruan. Kjo strategji narrative e afron veprën me traditën e metafiksionit, duke e bërë lexuesin dëshmitar dhe bashkëpjesëmarrës në vepime. Autori e thyen vazhdimisht iluzionin realist, duke theksuar se Dashamiri nuk është thjesht një vend imagjinar, por një gjendje mendore dhe shoqërore.
Boshti tematik i romanit ndërtohet rreth institucioneve të pushtetit (gjykata, spitali, komuna), të cilat paraqiten si struktura formalisht funksionale, por thelbësisht të zbrazëta nga etika dhe përgjegjësia.
Romani shquhet për galerinë e gjerë të personazheve, të cilët, edhe pse shpesh tipizues, funksionojnë si figura simbolike: kryetari populist, drejtori servil, intelektuali konformist, gazetari oportunist. Këta personazhe nuk synojnë thellësi psikologjike klasike, por shërbejnë si mjete për t’i zbuluar mekanizmat e një shoqërie që normalizon absurditetin dhe e pranon padrejtësinë si përditshmëri.
Në aspektin stilistik Mehmeti përdor një gjuhë të gjallë, ironike e herë-herë groteske, të mbështetur në frazeologji popullore, hiperbola dhe kontraste të forta semantike. Ironia nuk është vetëm mjet estetik në këtë roman, por edhe armë kritike përmes së cilës autori demaskon hipokrizinë, servilizmin dhe mitizimin e rremë të pushtetit lokal.
Dhe në fund, “Dashavidi” është një roman me peshë kritike dhe shoqërore, që përmes satirës dhe alegorisë ofron një lexim të mprehtë të realitetit institucional dhe moral. Ai nuk synon të japë zgjidhje, por ta provokojë mendimin kritik.




