Doli nga shtypi monografia “Dekada e suksesit” e autorit Hajrush Stublla
Këtë javë ka dalë nga shtypi monografia me titull “Dekada e suksesit” e autorit dhe veprimtarit të njohur të arsimit, prof. Hajrush Stublla. Botimi përmbledh historinë, zhvillimin dhe rrugëtimin institucional të Shkollës së Mesme Profesionale “Adem Gllavica” në Lipjan, duke dokumentuar me fakte, fotografi dhe rrëfime personale një periudhë të rëndësishme të arsimit profesional në Kosovë.
Monografia është rezultat i një pune shumëvjeçare dhe përkushtimi të autorit për të ruajtur dhe dokumentuar kontributin e brezave të mësimdhënësve, nxënësve, drejtorëve si dhe partnerëve ndërkombëtarë që ndihmuan në ndërtimin dhe zhvillimin e shkollës.
Në libër paraqiten nismat arsimore që nga vitet e pasluftës, sfidat organizative, partneritetet me institucione si Ushtria Amerikane, LuxDev, si dhe punët praktike të nxënësve në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në drejtimet e arkitekturës, bujqësisë, ekonomisë dhe teknologjisë.
Redaktor i veprës është Abdullah Trushupa, ndërsa recensionin e ka bërë Mërgim Bekteshi, të cilët theksojnë vlerën dokumentuese dhe arsimore të këtij botimi.
Monografia pritet të promovohet më 12 shtator 2025 në ambientet e shkollës “Adem Gllavica”, me pjesëmarrjen e mësimdhënësve, nxënësve, partnerëve institucionalë dhe figurave të njohura të arsimit dhe kulturës.
Kjo vepër është një dëshmi e rëndësishme për ruajtjen e kujtesës institucionale dhe një burim i çmuar për studiuesit dhe brezat e rinj që duan të njihen me zhvillimin e arsimit profesional në Kosovë.



