Donald Trump e fton Edi Ramën që të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për Gazën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se ka marrë ftesë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për të përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes që do të jetë për të ndihmuar arritjen e paqes në Gazëa.
Rama ka thënë se s’mund të jetë më krenar se kaq me Shqipërinë dhe për gjithçka që është arritur për këto vite.
“Shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në bordin e paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më parë.
Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të dinjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti Donald j. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, ka shkruar Rama.



