
Donald Trump: Vendet e NATO-s duhet t’i rrëzojnë aeroplanët rusë nëse ata shkelin hapësirën e tyre ajrore
Pas takimit të zhvilluar në selinë e Kombeve të Bashkuara me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, presidenti amerikan, Donald Trump shprehu admirim të thellë për rezistencën e Ukrainës ndaj agresionit rus.
“Ne kemi respekt të madh për luftën që po bën Ukraina. Është mjaft e jashtëzakonshme”, tha ai, duke vlerësuar qëndrimin e ukrainasve.
Trump gjithashtu bëri thirrje që vendet e NATO-s të marrin masa më të rrepta duke rrëzuar çdo aeroplan rus që hyn në hapësirën e tyre ajrore.
“Vendimet duhet të jenë të qarta dhe të forta për të mbrojtur sigurinë tonë”, shtoi lideri amerikan.
I pyetur për marrëdhëniet me Hungarinë, Trump tha se do të kontaktojë kryeministrin, Viktor Orban dhe shprehu besimin se ky i fundit do të ndalojë importin e naftës ruse. “Mendoj se Orban do të ndalojë blerjen e naftës ruse nëse i flas. Do t’i flas atij”, u shpreh 79-vjeçari.
Duke komentuar situatën në terren, Trump tha se Rusia nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë e saj në luftë dhe se konflikti do të zgjasë më shumë sesa ishte parashikuar fillimisht, raporton Telegrafi.
“Kjo duhej të ishte e shpejtë për ta, por duket se nuk do të përfundojë për një kohë të gjatë”, tha ai.
Kjo deklaratë vjen pasi javën e kaluar Estonia njoftoi se tre aeroplanë luftarakë rusë MiG-31 shkelën hapësirën e saj ajrore për 12 minuta, para se aeroplanët luftarakë italianë të NATO-s t’i shoqëronin dhe t’i largonin.
Javë më parë rreth 20 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake, duke detyruar aeroplanët e NATO-s të rrëzonin disa prej tyre, ndërsa aleanca forcoi mbrojtjen në krahun lindor të Evropës.
Ndryshe, takimi në OKB vjen në një moment kritik të konfliktit në Ukrainë dhe rrit vëmendjen ndërkombëtare për situatën në rajon.