Donald Trumpi ka vënë një bast të madh

23 qershor 2025 | 08:05

David Sanger

Me sulmin ushtarak që paraardhësit e tij e shmangën, Trump vendos një bast të madh, se Shtetet e Bashkuara do të mund të përballojnë çdo kundërpërgjigje nga Irani dhe se kanë shkatërruar mundësinë e regjimit iranian për të rindërtuar programin e vet bërthamor

Gjatë dy dekadave të fundit, Shtetet e Bashkuara kanë përdorur sanksione, sabotime, sulme kibernetike dhe negociata diplomatike për të ngadalësuar marshimin e gjatë të Iranit drejt një arme bërthamore.

Rreth orës 2:30 të mëngjesit të dielën në Iran, Presidenti Trump urdhëroi një shfaqje të fuqisë së pastër ushtarake — diçka që katër paraardhësit e tij e kishin shmangur me kujdes, nga frika se mos e fusnin Amerikën në një luftë të re në Lindjen e Mesme.

Pas disa ditësh me deklaratash se nuk mund të pranonte rrezikun që mullahët dhe gjeneralët e Teheranit — të cilët i kishin mbijetuar sulmeve të Izraelit — të ndërmerrnin hapin e fundit drejt armës bërthamore, ai urdhëroi një flotë bombarduesish B-2 të përshkonin gjysmën e globit për të lëshuar bombat më të fuqishme konvencionale, mbi objektivat më të rëndësishme të kompleksit bërthamor iranian.

Objektivi kryesor ishte qendra e pasurimit nëntokësor në Fordo, e paarritshme nga Izraeli.

Për Trump-in, ky vendim për të sulmuar infrastrukturën bërthamore të një shteti armiqësor përfaqëson bastin më të madh — dhe potencialisht më të rrezikshëm — të mandatit të tij të dytë.

Ai po vë bast se SHBA mund të përballojë çdo kundërpërgjigje që drejtuesit e Iranit mund të urdhërojnë kundër mbi 40 mijë trupave amerikane të shpërndarë në baza ushtarake në të gjithë rajonin. Të gjitha këto janë brenda rrezes së raketave të Teheranit, pavarësisht tetë ditëve të sulmeve të pamëshirshme nga Izraeli. Ai gjithashtu po vë bast se do të mund të pengojë një Iran të dobësuar që të përdorë metodat e tij të zakonshme – terrorizmin, marrjen e pengjeve dhe sulmet kibernetike – si rrugë indirekte për hakmarrje.

Më e rëndësishmja, ai po vë bast se ka shkatërruar shanset e Iranit për të rindërtuar programin e tij bërthamor. Është një qëllim ambicioz: Irani ka bërë të qartë se, nëse do të sulmohej, do të largohej nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore dhe do ta çonte programin thellë nën tokë. Prandaj Trump-i u përqendrua aq shumë në shkatërrimin e Fordos — objekt që Irani e ndërtoi fshehurazi dhe që u ekspozua publikisht nga presidenti Obama në vitin 2009. Pikërisht aty Irani prodhonte pjesën më të madhe të lëndës djegëse, afër cilësisë së bombës që shqetësonte SHBA-në dhe aleatët e saj.

Ndihmësit e Trump i thanë aleatëve të shtunën mbrëma se misioni i vetëm i Uashingtonit ishte shkatërrimi i programit bërthamor. Ata e përshkruan operacionin e ndërlikuar si një veprim të kufizuar, të ngjashëm me atë që vrau Osama Bin Ladenin në vitin 2011.

“Ata e thanë shprehimisht se kjo nuk ishte shpallje lufte,” tha një diplomat i lartë evropian të shtunën vonë, duke përshkruar bisedën me një zyrtar të lartë të administratës.

Por, shtoi diplomati, Bin Laden kishte vrarë 3,000 amerikanë. Irani ende nuk kishte ndërtuar një bombë.

Me pak fjalë, administrata po argumenton se veproi në mënyrë parandaluese, për të eliminuar një kërcënim, dhe jo për të rrëzuar regjimin iranian. Por nuk është aspak e sigurt që iranianët do ta perceptojnë kështu. Në një fjalim të shkurtër nga Shtëpia e Bardhë të shtunën në mbrëmje, i rrethuar nga zëvendëspresidenti J.D. Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Trump-i kërcënoi Iranin me më shumë shkatërrim, nëse nuk përulej ndaj kërkesave të tij.

“Irani, bullizuesi i Lindjes së Mesme, duhet tani të bëjë paqe,” tha ai. “Nëse jo, sulmet e ardhshme do të jenë shumë më të mëdha dhe shumë më të lehta për t’u realizuar.”

“Do të ketë ose paqe,” shtoi ai, “ose do të ketë tragjedi për Iranin shumë më të madhe se ajo që kemi parë këto tetë ditë. Mbani mend: ka ende shumë objektiva të mbetura.” Premtoi se nëse Irani nuk tërhiqet, do t’i godasë me “precizion, shpejtësi dhe mjeshtëri.”

Në thelb, Trump-i po kërcënonte të thellonte partneritetin ushtarak me Izraelin, i cili gjatë tetë ditëve të fundit kishte vendosur sistematikisht në shënjestër drejtuesit më të lartë ushtarakë dhe bërthamorë të Iranit, duke i vrarë në shtretërit, laboratorët dhe bunkerët e tyre. Fillimisht, SHBA u distancua nga operacioni. Në deklaratën e parë publike për këto sulme, Rubio theksoi se Izraeli veproi “në mënyrë të njëanshme ndaj Iranit,” dhe se SHBA “nuk ishte e përfshirë.”

Por disa ditë më parë, Trump bëri një koment në rrjetin e tij social, duke sugjeruar se SHBA mund ta vriste kur të donte liderin suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, 86 vjeç. Dhe të shtunën në mbrëmje e bëri të qartë se Amerika ishte plotësisht e përfshirë dhe, në kundërshtim me atë që tha Rubio, ishte thellësisht e angazhuar.

Tani që ka dëmtuar kapacitetin e Iranit për pasurim bërthamor, Trump shpreson të përfitojë nga një moment i jashtëzakonshëm dobësie – ajo dobësi që lejoi bombarduesit amerikanë B-2 të hynin dhe të dilnin nga territori iranian me pak rezistencë.

Pas kundërpërgjigjes së ashpër të Izraelit për sulmet terroriste të 7 tetorit 2023, që lanë mbi një mijë civilë izraelitë të vrarë, Irani papritur mbeti pa përfaqësuesit e tij: Hamasin dhe Hezbollahun. Aleati më i ngushtë, Bashar al-Assad i Sirisë, u detyrua të arratisej nga vendi. Dhe Rusia e Kina, të cilat kishin ndërtuar një partneritet interesash me Iranin, ishin zhdukur pas sulmeve të Izraelit.

Kjo e la programin bërthamor si mbrojtjen e fundit të Iranit. Ai ka qenë gjithmonë më shumë se një projekt shkencor – ishte simboli i rezistencës iraniane ndaj Perëndimit, dhe zemra e strategjisë së liderëve për të ruajtur pushtetin.

Së bashku me shtypjen e mospajtimit, programi ishte bërë mbrojtja përfundimtare për trashëgimtarët e revolucionit iranian të vitit 1979. Nëse marrja peng e 52 amerikanëve ishte mënyra e Iranit për të sfiduar një armik shumë më të madh në vitin 1979, programi bërthamor ka qenë simboli i kësaj sfide në dy dekadat e fundit.

Një ditë, historianët ndoshta do të vendosin një vijë midis atyre imazheve të amerikanëve me sy të lidhur, që u mbajtën peng për 444 ditë, dhe hedhjes së bombave GBU-57 kundër Fordos – strofulla malore e pasurimit të uraniumit. Ata ndoshta do të pyesin nëse SHBA, aleatët e saj apo vetë iranianët, mund të kishin vepruar ndryshe.

Dhe me siguri do të pyesin nëse basti i Trump-it ia vlejti.

Kritikët e tij në Kongres tashmë po vënë në dyshim qasjen e tij. Senatori Mark Warner nga Virxhinia, demokrati kryesor në Komitetin e Inteligjencës, tha se Trump-i kishte vepruar “pa u konsultuar me Kongresin, pa një strategji të qartë, pa marrë parasysh përfundimet e vazhdueshme të komunitetit të inteligjencës”, sipas të cilave Irani nuk kishte marrë një vendim përfundimtar për të ndërtuar bombën.

Nëse Irani nuk arrin të reagojë në mënyrë efektive, nëse kontrolli i ajatollahut mbi pushtetin fillon të lëkundet, ose nëse vendi heq dorë nga ambiciet e tij të vjetra bërthamore, Trumpi pa dyshim do të pretendojë se vetëm ai pati guximin të përdorte fuqinë ushtarake të Amerikës për të arritur atë që katër presidentë para tij e kishin konsideruar shumë të rrezikshme.

Por ekziston edhe një mundësi tjetër: Irani mund të ringrihet ngadalë, shkencëtarët e mbijetuar të programit të tij bërthamor mund t’i çojnë njohuritë e tyre nën tokë dhe vendi mund të ndjekë shembullin e Koresë së Veriut – një garë për të ndërtuar një bombë. Sot, Koreja e Veriut ka mbi 60 armë bërthamore, sipas disa vlerësimeve të inteligjencës – një arsenal që ndoshta e bën atë shumë të rrezikshme për t’u sulmuar.

Iranit mund t’i duket se ky është i vetmi rrugëtim për të larguar fuqitë e mëdha armiqësore dhe për të penguar SHBA-në dhe Izraelin të kryejnë një tjetër operacion si ai që ndriçoi qiejt e Iranit në mëngjesin e së dielës. / NYT – Bota.al

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së sotme Shoqata "Bizneset e vogla’’ pritet të…