Donat Hasanaj, ‘Ylli i Javës’ në Superligën e Kosovës në futboll
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në elitën e futbollit kosovar.
Për javën e 15-të të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Prishtina e Re, Donat Hasanaj, i cili ka pasur një paraqitje individuale shumë të mirë për skuadrën e tij gjatë 90 minutave të ndeshjes kundër FC Prishtina. Ndonëse mbrojtës, ai ka shënuar një gol dhe ka qenë përcaktues edhe në një gol tjetër, derisa ka bërë edhe ndërhyrje shumë të rëndësishme në fazën e mbrojtjes, në fitoren e rëndësishme, me rezultat 4:1.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit, në përbërje të Fatmir Mehmeti, Agim Maliqi dhe Muhamet Sylejmani.
Pasi ka marrë këtë çmim, Hasanaj është shprehur i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës. “Kemi pasur një ndeshje shumë të vështirë kundër FC Prishtina, të cilët kryesojnë tabelën, por edhe ne e kemi përgatitur ndeshjen kundër tyre shumë mirë. Është e vërtetë që kemi pasur shumë ndryshime, pasi në 15 xhiro janë ndërruar tre trajnerë, por atmosfera momentale është shumë e mirë në skuadër. Si në aspektin individual, ashtu edhe në atë ekipor kemi luajtur shumë mirë dhe e shfrytëzoj rastin t’i falënderoj bashkëlojtarët për kontributin, që unë ta marr këtë çmim sot”, ka thënë Hasanaj ai për faqen zyrtare të FFK-së.



