
Donika Gërvallës i jepet mirënjohje për çështje kombëtare
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në shënimin e 30-vjetorit të aksionit të parë të armatosur mbi forcat policore serbe të organizuar nga Guerila e Llapit, më 9 gusht të vitit 1991 tek “Qershiat e Llapashticës”, në Komunën e Podujevës.
Me këtë rast është zbuluar një pllakë përkujtimore në shtëpinë nga e cila është realizuar aksioni.
Në fjalën e saj të rastit, ministrja Gërvalla ka shprehur respektin e pakufi për të gjithë ata që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, me mjete politike dhe ushtarake e që në fund kulmoi me luftën e hapur të UÇK-së dhe intervenimin e forcave të NATO-s dhe aleatëve që sollën lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj.
Ministrja Gërvalla ka theksuar obligimin e qeverisë dhe institucioneve të shtetit që Kosova të ndërtohet ashtu siç̧ e deshën heronjtë, duke e bërë shtet të zhvilluar e demokratik ku funksionon rendi dhe ligji për të gjithë njësoj.
Nga kryetari i organizatës Guerilja e Llapit, Hasan Zeneli, ministres Gërvalla iu dha mirënjohje për kontributin e dhënë ndaj çështjes kombëtare.
Në këtë tubim morën pjesë Halit Konushevci babai i heroit Ilir Konushevci, z. Hetem Ajeti pjesëtar në aksionin e parë gueril, profesori Rexhep Gjergji dhe shumë personalitete tjera.