
Donjeta Sadiku përgatitet në Angli
Boksierja e Kosovës, Donjeta Sadiku, së bashku me selektoren Marjola Sallauka, po marrin pjesë në kampin ndërkombëtar të përgatitjeve që po zhvillohet në Sheffield të Anglisë, nga data 13 gusht deri më 2 shtator.
Ky kamp stërvitor paraqet një mundësi të artë për Sadikun që të përgatitet në mënyrë sa më profesionale për Kampionatin Botëror të Boksit, i cili do të mbahet nga 4 deri më 14 shtator 2025 në Liverpool, Angli.
Donjeta Sadiku, e cila në Kampionatin Botëror të vitit 2022 në Stamboll fitoi medaljen e bronztë, pritet të paraqitet me ambicie edhe më të mëdha këtë vit. Tifozët dhe mbështetësit e sportit në Kosovë shpresojnë që ajo do ta kurorëzojë këtë kampionat me medaljen e artë, duke e ngritur edhe më lart emrin e Kosovës në arenën ndërkombëtare të boksit.
Federata e Boksit të Kosovës beson se përgatitjet intensive në Sheffield do të ndikojnë pozitivisht në paraqitjen e Sadikut në këtë garë të madhe.