
Dorëheqja e Liburn Aliut | Matoshi: A nuk kishin dhënë dorëheqje Kurti dhe ministrat e tij në prill 2025?
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka dhënë dorëheqje nga posti i ministrit në detyrë, siç ka thënë për shkak të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
“Dorëheqja ime vjen pas zgjedhjes së djeshme të kryetarit te Kuvendit të Republikës së Kosovës. Dje, pas votimit te kryetarit të Kuvendit, e kam njoftuar Kryeministrin Kurti për vendimin tim. Konsideroj që zgjedhja e djeshme e Kryetarit të Kuvendit, institucionit më të lartë, ku vendosen ligjet dhe jep llogari qeveria, nuk është në frymën e në lartësinë e atij ideali për Republikën që ka qenë dhe mbetet arsye angazhimi për mua”, shkroi Aliu në njoftimin e tij në Facebook.
Lidhur me këtë, analisti politik, Halil Matoshi, thotë për Gazeta Blic se Kurti kishte deklaruar se ministrat ia kanë paraqitur dorëheqjet në prill 2025 dhe pse tani u dashka të japë dorëheqje, një i dorëhequr.
“Albin Kurti ka deklaruar se ministrat ia kanë paraqitur dorëheqjet diku në prill 2025 dhe ai vet ka dhënë dorëheqjen që atëherë, dhe se Qeveria është në detyrë. Po del qe nuk qenka krejt e vërtetë!? Pse u dashka të japë dorëheqje një i dorëhequr?” shprehet ai.
Matoshi kujton se Aliu e kishte cilësuar Kosovën projekt të përkohshëm, teksa thekson se kjo klasë politike do të mbahet mend për degradim të shtetit.
“Liburn Aliu po e përmend pakënaqësinë e brendshme dhe dinjitetin e Republikës, cilës? Asaj që e cilësonte projekt i përkohshëm apo jo!? Kjo klasë politike ka me u mbajtë mend gjatë për degradimin e shtetit kosovar, sepse thjesht ka prodhuar një lëvizje antishtet”, deklaron Halil Matoshi.