Dorëheqjet e serbëve, Policia e Kosovës del me njoftim për media

07 nëntor 16:43

Policia e Kosovës ka dalë me një njoftim për media për dorëheqjet e zyrtarëve serbë të këtij institucioni.

Sipas njoftimit të policisë edhe të hënën kanë vazhduar dorëheqjet e zyrtarëve policorë në drejtorinë rajonale të Mitrovicës së Veriut.

Policia ka njoftuar se numri i saktë i dorëheqjeve deri më tani është 578.

“Numri i njoftimeve për dorëheqje të punonjësve të uniformuar dhe të atyre civilë nga rendi publik, kufiri dhe hetimet, të cilët deri më tani i kanë dërguar njoftimet në rajonet dhe stacionet policore ka arritur deri në pesëqind e shtatëdhjetë e tetë (578) punonjës. Disa prej tyre janë në proces të dorëzimit të pajisjeve, ndërsa disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara”, ka njoftuar policia.

Më tutje, policia ka njoftuar se kanë kapacitete të mjaftueshme për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara në veri të Kosovës.

Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:

Policia e Kosovës, në vazhdën e njoftimit të opinionit publik, informon se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën e veriut të vendit, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës – Veri.

Numri i njoftimeve për dorëheqje të punonjësve të uniformuar dhe të atyre civilë nga rendi publik, kufiri dhe hetimet, të cilët deri më tani i kanë dërguar njoftimet në rajonet dhe stacionet policore ka arritur deri në pesëqind e shtatëdhjetë e tetë (578) punonjës. Disa prej tyre janë në proces të dorëzimit të pajisjeve, ndërsa disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara.

Policia e Kosovës ashtu siç e ka potencuar edhe më parë, ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara në veri, ku tani pas dorëheqjeve në mungesë të personelit dhe kapaciteteve të mjaftueshme policore në veri, do të rris gradualisht kapacitetet e saja policore me zyrtarë të rendit publik.

Të gjitha veprimet policore do të ndërmerren konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe shërbimit ndaj qytetarëve, ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli me famë botërore, Britney Spears përmes llogarisë së saj…