Dorëhiqet Ragip Xhaka, drejtimin e PDK-së në Zvicër e merr Adhurim Krasniqi

27 janar 2026 | 11:50

Ragip Xhaka, i cili për më shumë se katër vite ka udhëhequr Degën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Zvicër, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryetarit, si dhe nga të gjitha funksionet e tij partiake.

Dorëheqja e Xhakës është dorëzuar me shkrim gjatë mbledhjes së Kryesisë së PDK-së në Zvicër, ndërsa lajmi është bërë publik nga vetë ai përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook.

Pas dorëheqjes, Kryesia e Degës ka vazhduar mbledhjen sipas rendit të ditës dhe ka vendosur që ushtrues detyre i kryetarit të Degës të emërohet ish-nënkryetari, Adhurim Krasniqi. Ai do ta udhëheqë PDK-në në Zvicër deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja të brendshme.

Në njoftimin e tij, Xhaka ka falënderuar Kryesinë dhe strukturat e partisë për bashkëpunimin, mbështetjen dhe besimin gjatë gjithë periudhës së angazhimit të tij, duke theksuar se ka qenë nder dhe përgjegjësi të kontribuojë për vlerat dhe vizionin e PDK-së.

Ai gjithashtu i ka uruar PDK-së vazhdimësi të suksesshme, unitet dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe interesit kombëtar, ndërsa Adhurim Krasniqit i ka dëshiruar sukses në detyrën e re.

Njoftimi i plotë i Ragip Xhakës:

Të nderuar anëtarë të Kryesisë dhe të strukturave të PDK-së në Zvicër,

Ju njoftoj  gjatë mbledhjes së Kryesisë së Degës, i kam dorëzuar Kryesisë, me shkrim, dorëheqjen time nga posti i Kryetarit të Degës së PDK-së në Zvicër, si dhe nga të gjitha funksionet e mia partiake.

Pas dorëheqjes sime, mbledhja e Kryesisë ka vazhduar sipas rendit të ditës, ku nënkryetari i Degës, z. Adhurim Krasniqi, ka marrë ushtrimin e detyrës së Kryetarit të Degës deri në mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme.

Me këtë rast, dëshiroj t’ju falënderoj sinqerisht të gjithëve për bashkëpunimin, mbështetjen dhe besimin që më keni dhënë gjatë gjithë kohës së angazhimit tim. Ka qenë nder dhe përgjegjësi të jem pjesë e kësaj strukture dhe të kontribuoj për vlerat dhe vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës.

I uroj PDK-së vazhdimin e rrugës së saj me sukses, unitet dhe përkushtim, në shërbim të qytetarëve dhe të interesit kombëtar.

Ju falënderoj edhe një herë dhe ju uroj shëndet, suksese dhe çdo të mirë në angazhimet tuaja të ardhshme.

Me respekt,

Ragip Xhaka

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është rikthyer në vëmendje një deklaratë e Cristiano Ronaldos, e…