Dosja e Opterushës: Ministria nuk e korrigjoi projektin, tentoi ta ndëshkojë kompaninë, por dështoi
Një projekt shumë i rëndësishëm publik, që ishte menduar t’i shërbente zhvillimit ekonomik të Rahovecit dhe bizneseve të Parkut Industrial në Opterushë, ka përfunduar në një përplasje të fortë mes Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe kompanisë së kontraktuar për kryerjen e punimeve, “Pro & Co Group”.
Në vend të një projekti të përfunduar në terren, sot kemi një dosje me dokumente, shkresa, e-maila zyrtarë, pretendime për mospërputhje teknike, vonesa në pagesa, pengesa në terren dhe një kontratë të shkëputur në mënyrë të njëanshme nga ana e Ministrisë.
Dokumentet e siguruara nga Front Online tregojnë se përplasja nuk ka nisur në fund, kur kontrata u ndërpre në mënyrë të një anëshmë, por shumë më herët.
Kompania kishte paralajmëruar në vazhdimësi se projekti dhe paramasa nuk përputheshin plotësisht me gjendjen reale në terren dhe se disa punë nuk mund të vazhdonin pa vendime të qarta nga Autoriteti Kontraktues.
Në qendër të kësaj dosjeje është projekti për ndërtimin e infrastrukturës në Parkun Industrial në Opterushë.
Për këtë projekt, kompania “Pro & Co Group” ishte kontraktuar si Operator Ekonomik për realizimin e punimeve.
Sipas dokumenteve të siguruara, kompania pretendon se gjatë zbatimit të kontratës kishte hasur në pengesa serioze, pra probleme në rrjetin elektrik, mospërputhje mes projektit dhe paramasës, terren guror e shkëmbor, pozicione të paparashikuara dhe vonesa në pagesa për punët që, sipas saj, ishin kryer në terren.
Por, në vend se këto çështje të trajtoheshin si problem teknik i projektit, kompania pretendon se Ministria zgjodhi rrugën më të rëndë, pra atë të shkëputjes së njëanshme të kontratës, e që për Pro& Co Group, kjo nuk ishte thjesht ndërprerje e një kontrate publike. Kompania e sheh këtë si ndëshkim për probleme që, sipas saj, nuk ishin shkaktuar nga punëkryesi, por nga vetë projekti dhe dokumentacioni i përgatitur nga Autoriteti Kontraktues.
Madje, sipas dokumenteve, MINT kishte kërkuar që kompania të futej edhe në listën e zezë të prokurimit. Një gjë e tillë nuk kishte ndodhur. Për kompaninë, kjo e forcon edhe më shumë pretendimin se ndaj saj është vepruar pa bazë të qëndrueshme ligjore dhe faktike ndaj tyre.
Kompania paralajmëroi me kohë për problemet
Një prej pikave më të rëndësishme në këtë rast lidhet me komunikimet zyrtare mes kompanisë dhe MINT/KIESA-s.
Në e-mailat e siguruar nga portali Front Online, kompania kishte ngritur shqetësime të vazhdueshme për pjesën e rrjetit elektrik.
Ajo kishte kërkuar ndryshime në projekt, duke paralajmëruar se kishte mospërputhje mes projektit dhe paramasës mbi të cilën ishte ofertuar dhe kontraktuar puna.
Sipas kompanisë, disa punë figuronin në projekt, por nuk ishin të përfshira në paramasë, e kjo e kishte vënë Operatorin Ekonomik në pozitë të vështirë, ose të kryente punë pa mbulim të qartë kontraktual e financiar, ose të priste vendim zyrtar nga Ministria.
Pro & Co Group pretendon se zgjodhi rrugën ligjore dhe institucionale, pra kërkoi sqarime, kërkoi zgjidhje në letër dhe kërkoi konfirmime zyrtare.
Kompania kishte bërë të qartë se nuk mund të vazhdonte “pa projekt” dhe se çdo devijim nga dokumentacioni ekzistues duhej të trajtohej si punë shtesë, me propozim dhe miratim nga Autoriteti kontraktues.
Ky nuk ishte një detaj teknik i parëndësishëm. Në kontratat publike, sidomos kur bëhet fjalë për rrjet elektrik, kanalizim, ujësjellës, puseta dhe infrastrukturë rrugore, ndryshimet nuk mund të bëhen vetëm me marrëveshje gojore në terren. Ato duhet të jenë të dokumentuara, të miratuara dhe të qarta për të dyja palët.
“Nuk mund të vazhdojmë pa zgjidhje në letër”
Në komunikimet e saj, kompania kishte insistuar se nuk mund të vazhdonte punimet pa u zgjidhur problemet edhe në letër, jo vetëm në terren, e ky formulim është thelbësor për ta kuptuar qëndrimin e Pro & Co Group.
Kompania nuk po kërkonte vetëm tolerim apo shtyrje afatesh, por ajo po kërkonte që problemet të formalizoheshin dhe të merrnin përgjigje zyrtare nga Institucioni që e kishte hartuar dhe menaxhuar projektin.
Nga ana tjetër, MINT/KIESA i kërkonte kompanisë që të vazhdonte punimet sipas kontratës.
Në një nga përgjigjet, zyrtarët e Autoritetit Kontraktues kërkonin se duhet të punohej sipas paramasës së kontraktuar, ndërsa pjesa tjetër e elektrikës, sipas tyre, ishte paraparë për fazën e dytë të projektit.
Por, pikërisht këtu qëndron problemi kryesor, kompania pretendon se në terren gjendja nuk përputhej me logjikën e dokumenteve. Paramasa, projekti dhe realiteti në punishte nuk po ecnin në të njëjtën vijë.
Në këto rrethana, sipas kompanisë, vazhdimi i punimeve pa zgjidhje të shkruar do ta fuste Operatorin Ekonomik në rrezik, pra të kryente punë që më vonë mund të mos pranoheshin, të mos paguheshin ose të konsideroheshin jashtë kontratës.
Terreni doli më i rëndë se në projekt
Një tjetër pikë e rëndësishme në dosjen e Opterushës është gjendja e terrenit.
Pro & Co Group pretendon se në projektin e elektrikës nuk ishte paraparë hapja e kanaleve dhe pusetave në terren shkëmbor, por vetëm gërmim në kategori të dheut IV dhe V.
Sipas kompanisë, realiteti në terren ishte ndryshe. Në disa pjesë, terreni kishte dalë guror e shkëmbor, duke e vështirësuar ndjeshëm realizimin e punimeve sipas afateve dhe kushteve të kontratës.
Në dokumente përmendet se një pjesë e madhe e terrenit kishte rezultuar me gurë dhe shkëmbinj, gjë që kishte ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e punimeve. Kompania pretendon se këto rrethana nuk mund të trajtoheshin si vonesë e zakonshme nga punëkryesi, pasi kishin të bënin me kushte objektive që nuk ishin paraparë siç duhet në projekt. Sipas kompanisë, në vend se këto pengesa të trajtoheshin si rrethana reale që kërkonin rishikim teknik, ato u kthyen në bazë për masa ndaj saj.
Ministria thoshte se nuk kishte pengesa, kompania dërgonte e-maila për pengesa
Një nga kundërthëniet më të forta në këtë dosje është qëndrimi i MINT/KIESA-s se kushtet për realizimin e projektit kishin qenë optimale dhe se nuk kishte pengesa në terren. Në komunikimet zyrtare, Autoriteti Kontraktues kishte vlerësuar se kompania nuk po e realizonte projektin sipas planit dinamik dhe se kishte tejkaluar ditët shtesë. Por, nga ana tjetër, Pro & Co Group i kishte kthyer përgjigje Ministrisë duke theksuar se problemet ishin paraqitur edhe në takime, por edhe përmes e-mailave zyrtarë. Kompania pretendonte se vonesat nuk kishin ardhur nga mungesa e vullnetit për punë, por nga një varg problemesh të hapura, mospërputhje në projekt, mungesë e sqarimeve zyrtare, probleme në terren, bllokim pagesash dhe mospranim i punëve të kryera.
Në një pjesë të komunikimit, kompania e bën të qartë se nuk është investitor i projekteve të Ministrisë, por punëkryes që duhet të paguhet për punën e kryer.
Situacionet dhe pagesat e kontestuara
Përplasja mes palëve nuk lidhej vetëm me projektin dhe terrenin. Një pjesë tjetër e rëndësishme kishte të bënte me situacionet, faturat dhe pagesat. Në komunikimet e janarit 2025, MINT/KIESA i kishte kërkuar kompanisë që ta tërhiqte faturën e datës 24 dhjetor 2024, me arsyetimin se sistemi i pagesave për vitin 2025 nuk ishte lëshuar ende dhe se kompania nuk duhej të ngarkohej me TVSH.
Kompania nuk ishte pajtuar me këtë qasje. Ajo kishte theksuar se kishte dorëzuar situacionin e punimeve dhe faturën, prandaj nuk shihte arsye për anulimin e tyre, përkundrazi, kërkonte që punimet të verifikoheshin në terren dhe të vazhdohej me procedimin e pagesës. Ky komunikim tregon se në atë fazë projekti kishte hyrë në një ngërç financiar dhe administrativ. Kompania thoshte se kishte punuar dhe kishte dorëzuar dokumentacion për pagesë, ndërsa Autoriteti Kontraktues kërkonte tërheqjen e faturës për arsye procedurale. Për kompaninë, kjo e thellonte edhe më shumë problemin, në njërën anë kërkohej vazhdimi i punimeve, ndërsa në anën tjetër, sipas saj, pagesat për punët e kryera po vonoheshin ose po zvarriteshin.
E-maili i 18 marsit: Kompania thotë se ishte e gatshme të vazhdonte Një nga dokumentet më të rëndësishme në këtë dosje është e-maili i datës 18 mars 2025. Në këtë komunikim, Pro & Co Group i drejtohet MINT/KIESA-s duke thënë se, pas shumë e-mailave dhe insistimeve, ishte e gatshme të vazhdonte punimet. Kjo, sipas kompanisë, edhe pse kishte tashmë pengesa të hapura dhe çështje të pazgjidhura. Por kompania vendosi disa kushte. Së pari, kërkoi që të mos aplikoheshin penallti, me arsyetimin se vonesat nuk kishin ardhur për fajin e saj. Së dyti, kërkoi 60 ditë pune për përfundimin e projektit. Së treti, kërkoi që problemet e raportuara më herët të trajtoheshin siç duhet nga Ministria. Arsyetimi i kompanisë ishte se Ministria nuk kishte ofruar zgjidhje për problemet që e kishin pamundësuar përfundimin e projektit brenda afatit të paraparë. Në këtë e-mail përmenden sërish mospërputhjet mes projektit, paramasës dhe gjendjes faktike në terren, si dhe vështirësitë me terrenin.
Në fund, Pro & Co Group kërkonte që këto pika të pranoheshin në mënyrë që të vazhdonte me plotësimin e dokumenteve dhe me punimet në terren, për ta përfunduar projektin në shërbim të qytetarëve dhe bizneseve të asaj zone. Pas ndërprerjes së kontratës, kompania kërkoi prerjen e punimeve Edhe pas ndërprerjes së kontratës, çështjet mes palëve nuk u mbyllën. Më 28 maj 2025, Pro & Co Group iu drejtua sërish MINT/KIESA-s, duke kërkuar që palët të dilnin në terren dhe të bënin prerjen e punimeve të përfunduara.
Kompania pretendonte se kishte kryer punë që nuk i ishin pranuar dhe përmendte edhe situacione që, sipas saj, ishin të gatshme për pagesë ose të pranuara. Në këtë fazë, kompania kërkonte që të ndërmerreshin veprime të menjëhershme për ta mbyllur procesin e hapur lidhur me punët e kryera në terren. Përgjigjja e MINT/KIESA-s ishte se ishte kontaktuar menaxheri i kontratës nga ana e kompanisë dhe se palët ishin dakorduar që gjatë asaj jave të dilnin në punishte për procedurat e prerjes së punimeve.
Ky komunikim tregon se, edhe pas ndërprerjes së kontratës, kishte ende çështje të pazgjidhura, pra cilat punë ishin kryer, cilat duhej të pranoheshin dhe çfarë vlere eventuale duhej t’i paguhej kompanisë. Pra, përplasja nuk ishte vetëm për vazhdimin e projektit, ajo lidhej edhe me punët që kompania pretendonte se tashmë i kishte kryer. Rasti përfundon në Gjykatën Komerciale Pas shkëputjes së kontratës, Pro & Co Group e dërgoi rastin në Gjykatën Komerciale, duke kërkuar kompensim dëmi.
Në kërkesën e saj, kompania pretendon se kishte qenë duke i kryer punët sipas kushteve të kontratës dhe se e kishte njoftuar vazhdimisht Ministrinë për problemet që po ndikonin në ecurinë e punimeve. Sipas kompanisë, pavarësisht këtyre njoftimeve, MINT vendosi ta ndërpresë kontratën në mënyrë të njëanshme.
Pro & Co Group pranon se kishte pasur vonesa, por pretendon se ato kishin ardhur nga rrethana objektive dhe jashtë kontrollit të saj. Në mesin e këtyre rrethanave përmenden terreni shkëmbor, gurët e thyer gjatë gërmimit, ndërrimi i kategorisë së tokës te kanalet e ujësjellësit, mospërputhjet mes projektit dhe paramasës te rrjeti elektrik, pusetat jashtë trasës së rrugës dhe terreni i pjerrët përgjatë aksit të projektit. Këto pretendime e mbështesin tezën kryesore të kompanisë, problemi nuk qëndronte vetëm te vonesa, por te një projekt që, sipas saj, nuk korrespondonte me realitetin në terren.
Front Online për këtë çështje i ka dërguar pyetje MINT, por deri më tash nuk ka marrë përgjigjie nga ta.



