
Douglas Luiz nënshkruan me Nottingham Forest
Nottingham Forest ka nënshkruar me mesfushorin brazilian Douglas Luiz nga Juventusi në formë huazimi njëvjeçar, me detyrim të kushtëzuar për ta blerë përfundimisht verën e ardhshme, njoftoi klubi i Premier League.
27-vjeçari, i cili fitoi medaljen e artë olimpike me Brazilin në Tokio, kaloi vetëm një sezon te Juventusi pasi u largua nga Aston Villa për një shumë rreth 50 milionë euro (57.94 milionë dollarë) me një kontratë pesëvjeçare.
Megjithatë, ai bëri vetëm 27 paraqitje për klubin nga Torino.
“Jam vërtet i lumtur që jam këtu, është një klub i madh dhe vendosa të vij sepse e shoh ambicien që ka ky klub”, tha Douglas Luiz në një deklaratë të enjten mbrëma.
Pasi e nisi karrierën e tij te Vasco da Gama në Brazil, Douglas Luiz kaloi te Manchester City në vitin 2017, por nuk luajti për ta dhe u huazua te Girona për dy sezone, përpara se t’i bashkohej Aston Villa-s në vitin 2019.
Forest, që përfundoi në vendin e shtatë në Premier League sezonin e kaluar, do të vizitojë Crystal Palace të dielën.