Dr. Ahmet Shala të hënën promovon librin “Kur heshtja flet”

15 shkurt 2026 | 18:24

Ish-ambasadori i Kosovës dhe profesori universitar, dr. Ahmet Shala, do të promovojë të hënën librin e tij më të ri “Kur heshtja flet – e vërteta e shprehur nga Haga”. Ceremonia e promovimit do të mbahet në ora 12:00, në ambientet e Emerald Hotel, në Prishtinë.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Shala përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, ku ka ftuar miq, kolegë, bashkëpunëtorë, veteranë, studentë dhe qytetarë të tjerë që të marrin pjesë në këtë ngjarje të veçantë.

Sipas tij, pjesëmarrjen në promovim e kanë konfirmuar shumë personalitete të njohura nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndër ta janë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Po ashtu, pjesëmarrje kanë konfirmuar edhe znj. Nevenka Tromp ndërsa virtualisht nga SHBA do të jenë Kongresmeni Tony Hall, Gjenerali Mick Kicklighter, dhe Dr. Nick Langridge si dhe akademikë, profesorë, veteranë të luftës dhe familjarë të dëshmorëve.

Në ftesën e tij publike, Shala thekson se pjesëmarrja në këtë promovim do të ishte një mesazh i qartë ndaj përpjekjeve për, siç shprehet ai, “njollosjen dhe deformimin e historisë”, duke e cilësuar librin si një përgjigje ndaj proceseve dhe kurtheve politiko-juridike të montuara.

“Është koha që heshtja të flasë”, shprehet Shala në fund të njoftimit të tij, duke mirëpritur të gjithë të interesuarit në këtë promovim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liburn Aliu, një nga themeluesit e parë të Vetëvendosjes, tash…