“Drejt Malit” program që u ofron nxënësve qasje në aktivitete sportive – malore
Në Malet e Sharrit, në Brezovicë, për herë të parë është duke u zhvilluar programi “Drejt Malit” ku mbi 400 nxënës të shkollave fillore po marrin mësime në sportin e skitarisë.
Gjatë ditës së sotme, për të përcjellë nga afër aktivitetin e performancës së skijimit nga fëmijët e shkollave të ndryshme, ishin Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, Dekani i FEFS-UP-së, Musa Selimi, Kryetari i FSShK-së, Ardian Telaku dhe përfaqësues tjerë të MKRS-së dhe organizatave sportive.
Kryeministri Kurti ndër të tjera gjatë këtij aktiviteti tha që ky program shënon angazhimin e përbashkët për zhvillimin e shëndetit të fëmijëve dhe edukimin jo-formal përmes aktivitetit fizik. “Kjo bëhet e mundshme, vetëm atëherë kur ekziston lidhje e ngushtë e arsimit me sportin dhe e sportit me shëndetin” shtoi ai.
Kjo është hera e parë, që Qeveria e Kosovës mbështet organizimin dhe zbatimin e një programi të këtij lloji, përmes së cilit u sigurohet fëmijëve, nxënësve të shkollave fillore të Kosovës qasje në aktivitete sportive – malore.
Realizimi i këtij programi po bëhet në partneritet mes Ministrisë së Sportit, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shëndetësisë, Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin e Prishtinës dhe Federatës së Sportit Shkollor të Kosovës.



