Drejtësia ndërmjet normës dhe realitetit

19 mars 2026 | 08:36

Kadri Rexhaj

Ibish Neziri, “Drejtësia pa llogaridhënie: Raporti Marty, Dhomat e Specializuara dhe deformimi i drejtësisë”, N. Sh. “Armagedoni”, Prishtinë, 2026

Libri “Drejtësia pa llogaridhënie: raporti Marty, Dhomat e Specializuara dhe deformimi i drejtësisë” i autorit Ibish Neziri paraqet një ndër përpjekjet më serioze për të analizuar në mënyrë juridike dhe institucionale funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe rrethanat politike e juridike që çuan në krijimin e tyre. Që në hyrje, autori e vendos qartë fokusin e studimit duke theksuar se qëllimi i librit nuk është të ndikojë procese gjyqësore konkrete apo të mbrojë individë të caktuar, por të trajtojë një problem më të thellë: hendekun ndërmjet drejtësisë formale dhe drejtësisë reale në mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare.

Në analizën e gjerë të tij, në këtë libër, Ibish Neziri e lidh drejtpërdrejt krijimin e kësaj Gjykate me debatin ndërkombëtar që pasoi Dick Martin dhe Raportin e tij për pretendime mbi krime të luftës. Sipas autorit, ky proces prodhoi një mekanizëm gjyqësor të veçantë, “sui generis”, i cili në praktikë ka krijuar një formë drejtësie përzgjedhëse (selektive) dhe asimetrike.

Pra, një nga tezat qendrore që trajtohet në libër është karakteri selektiv i juridiksionit të kësaj gjykate. Autori argumenton se fakti që Dhomat e Specializuara trajtojnë ekskluzivisht krime të supozuara të shqiptarëve, ndërkohë që krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë mbeten jashtë juridiksionit të saj, krijon një problem serioz të barazisë normative. Kjo qasje, sipas autorit, nuk është thjesht pasojë e procedurave juridike, por është pasojë e vetë arkitekturës ligjore mbi të cilën është ndërtuar institucioni.

Libri ngre gjithashtu një debat të rëndësishëm mbi praktikat procedurale që janë bërë pjesë e funksionimit të kësaj Gjykate. Në mënyrë të veçantë autori ndalet në këto çështje si: paraburgimi i zgjatur pa aktgjykim përfundimtar, përdorimi i dëshmitarëve anonimë dhe mungesa e një mbikëqyrjeje të jashtme efektive. Në këtë kontekst, këto praktika, ai i analizon në raport me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke argumentuar se normalizimi i përjashtimeve procedurale mund të çojë në deformim të vetë konceptit të drejtësisë

Një çështje tjetër e rëndësishme e kësaj analize të gjerë paraqet edhe dimensioni moral dhe ai shoqëror, me ç’rast, autori thekson se një shoqëri që ka përjetuar spastrim etnik, varreza masive dhe zhdukje të mijëra njerëzve ka të drejtë të kërkojë drejtësi të plotë dhe jo drejtësi selektive. Në këtë kuptim, me këtë libër, bëhet përpjekje të vendoset një ekuilibër ndërmjet kërkesës për përgjegjësi individuale dhe nevojës për një realitet moral në funksionimin e drejtësisë ndërkombëtare.

Nga pikëpamja metodologjike studimi i këtij libri mbështetet në një qasje juridike-kritike, e cila kombinon analizën normative të së drejtës penale ndërkombëtare me shqyrtimin institucional të strukturës dhe praktikës së Dhomave të Specializuara. Gjatë analizës së tij, autori mbështetet në tri shtylla analitike: në interpretimin e standardeve juridike ndërkombëtare, në analizën e arkitekturës institucionale të Gjykatës dhe në përdorimin e rasteve konkrete si ilustrim empirik të praktikës së saj.

Në thelb, libri ngre pyetje të shumta mbi legjitimitetin normativ dhe moral të një mekanizmi penal ndërkombëtar që vepron në një kontekst post-konfliktual dhe nën presion politik. Prandaj, në këtë pikëpamje, autori thekson se libri nuk synon të ndërhyjë në procese gjyqësore konkrete, as mohon ekzistencën e krimeve individuale dhe as mohon nevojën për përgjegjësi penale, por kërkon barazi normative dhe ligjshmëri morale në zbatimin e drejtësisë.

Shikuar në tërësi, libri “Drejtësia pa llogaridhënie…” paraqet një studim kritik dhe të argumentuar mbi kufijtë e drejtësisë penale ndërkombëtare. Libri po ashtu e vendos debatin në një plan më të gjerë se sa polemikat politike të momentit, duke e orientuar atë drejt një reflektimi juridik dhe akademik mbi funksionimin e institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë. Në këtë kuptim, libri i Ibish Nezirit premton të kontribuojë në mënyrë të rëndësishme në debatin mbi raportin ndërmjet drejtësisë, politikës dhe kujtesës historike në kontekstin e Kosovës dhe më gjerë.

Është për çdo lëvdatë libri. Brenda kopërtinave është edhe botimi i plotë i tekstit të përkthyer në gjuhën angleze nga Avni Spahiu.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Evropian ka konfirmuar zyrtarisht heqjen e të gjitha masave…