Drejtësia për të pagjeturit, detyrim i pandalshëm i shtetit
Në Ditën e Personave të Pagjetur, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka rikujtuar plagën e hapur që lidhet me fatin e personave të zhdukur gjatë luftës, duke theksuar nevojën për drejtësi dhe zbardhjen e së vërtetës.
Përmes një reagimi publik, Hoxhaj ka theksuar se çështja e të pagjeturve vazhdon të mbetet një nga sfidat më të mëdha për shtetin dhe shoqërinë në Kosovë.
“Sot, në Ditën e Personave të Pagjetur, kujtojmë plagën që ende mbetet e hapur për Kosovën. Nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për krimet e një regjimi gjenocidal serb që synoi zhdukjen e shqiptarëve. Fati i të pagjeturve mbetet përgjegjësi e hapur, ndërsa kjo ditë na rikujton çmimin e lartë që populli ynë vazhdon ta paguajë për lirinë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka nënvizuar se kërkimi i drejtësisë për të pagjeturit nuk është vetëm detyrim institucional, por edhe obligim moral ndaj familjeve që ende presin përgjigje për më të dashurit e tyre.
Dita e Personave të Pagjetur shënohet çdo vit në Kosovë, duke rikthyer në vëmendje nevojën për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe përballjen me krimet e së kaluarës.



