Drejtësia që flet vetëm maqedonisht është padrejtësi

05 maj 2025 | 12:28

Shkruan: Astrit Gashi

Në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe multietnik, është e pafalshme që vetë Gjykata Kushtetuese, institucioni që duhet të mbrojë barazinë për të gjithë qytetaret e saj po bëhet vegël për ta relativizuar atë! Secili instutucion, secila gjykatë e dinë së
shqipja është gjuha e atyre që nuk u përkulën as para armëve, e atyre që shtepitë i kthyen në shkolla, që mbajtën shqipën në gjallë me abetare të fshehura, që mbrojtën dinjitetin edhe kur u rrahën e u internuan. Shqipja është zëri i një kombi që nuk u mposht dot as nga dhuna, as nga heshtja e sistemit.
Pyetjet që kjo gjykatë i ka adresuar Komisionit të Venecias janë tërësisht të orientuara për të gjetur rrugë për të kufizuar përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, e jo për të kërkuar standarde më të larta të barazisë dhe funksionalitetit të një shteti multietnik.
Kjo është një skemë e njohur që fillon me pyetje “juridike” dhe përfundon me sulme sistematike ndaj të drejtave të shqiptarëve. Si është e mundur që 23 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, institucionet më të larta të shtetit ende e trajtojnë gjuhën shqipe si rrezik dhe jo si realitet kushtetues?
Shqiptarët nuk janë 20% siç ju pëlqen ta përsërisin me zë të ulët funksionarët e një shteti që s’pranon të ballafaqohet me realitetin. Janë mbi 30% e popullsisë, janë komb shtetformues, janë kontribuues dhe garantë të paqes, të stabilitetit dhe të vetë ekzistencës së këtij shteti.
Pse nuk thuhet troç? Pjesa më e madhe e elitës shtetërore maqedonase nuk e ka pranuar kurrë realisht gjuhën shqipe si pjesë të barabartë të institucioneve. Prandaj edhe Gjykata Kushtetuese guxon të formulojë pyetje që nënkuptojnë se shqipja është luks, dhe jo një e drejtë.
Pse nuk guxon kjo Gjykatë të deklarojë se barazia nuk është çështje teknike, por thelb i shtetit? Pse nuk pranon se nuk ka integrim në BE pa integrim të gjuhës shqipe në drejtësi, administratë dhe institucionet e shtetit?
Në vend që të kërkojë rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në sistemin gjyqësor, mbrojtjen efektive të gjuhës në procedura penale, ose zbatimin e plotë të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, kjo gjykatë përpiqet të ulë nivelin e barazisë, duke e trajtuar shqipen si një shqetësim financiar, jo si një domosdoshmëri kushtetuese.
Kjo nuk është më çështje juridike por është akt politik. Është përpjekje për të mbajtur gjallë një model shteti që ekziston mbi shtypjen simbolike dhe reale të shqiptarëve. Dhe ky model është në përplasë të plotë me çdo standard evropian që Maqedonia e Veriut pretendon ta përqafojë.
A është gjuha maqedonase barrë për buxhetin? Apo vetëm gjuha shqipe përbën problem? A janë institucionet shtetërore të Maqedonisë të ndërtuara mbi barazi, apo mbi gënjeshtrën e shumicës unike etnike?
Shqiptarët nuk janë më thjesht popull me ndjenja kombëtare por janë popull me vetëdije kushtetuese dhe politike. Nuk do të pranojnë më asnjë kthim mbrapa. Ata nuk kanë luftuar për t’u quajtur “pakicë”, por për të qenë të barabartë si maqedonasit në çdo nen të kushtetutës, në çdo sallë gjyqi, në çdo zyrë shteti.
Nëse vazhdon ky rrugëtim i padrejtësisë, nëse drejtësia do të sillet si aparat i shumicës, atëherë do të vijë dita kur të gjithë do flasim me një gjuhë jo për shkak të frikës, por për shkak të së vërtetës. Dhe ajo gjuhë do të jetë gjuha e bashkimit, jo e nënshtrimit. Gjuha e barazisë, jo e seleksionimit. Të gjithë do të flasim shqip sepse kemi ndertuar bazametin e ketij shteti që sot rrezikohet nga rryma ekstreme të lindjës të cilat duhet të kthen në karpate atje nga ku janë nisur! Neser nuk do të ketë pozitë dhe opozitë shqiptare por të gjithë do të flasim gjuhën e Kongresit të Manstirit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se do nxisë qeverinë…