Drejtori i Policisë së Shqipërisë: Kosova të bëhet anëtare e SEPCA-s
Në Vlorë, të martën ka përfunduar punimet Asambleja e Dytë e Shoqatës së Shefave të Policisë së Evropës Juglindore (SEPCA), nën presidencën e Policisë së Shtetit shqiptar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka kërkuar nga anëtarët e kësaj organizate që edhe Kosova të jetë pjesë e saj.
Kërkesa e tij u bë gjatë ceremonisë së dorëzimit të presidencës së SEPCA-s tek Federata e Bosnjë-Hercegovinës, ku Proda theksoi rëndësinë e pranimit të Policisë së Kosovës si anëtare me të drejta të plota, duke nënvizuar se “vetëm një bashkëpunim i pandarë dhe i unifikuar mund të sjellë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër krimit rajonal dhe ndërkombëtar”.
Ai falënderoi të pranishmit për kontributin e tyre gjatë presidencës shqiptare, duke theksuar se bashkëpunimi dhe angazhimi i Policisë së Shtetit do të vazhdojë edhe pas përfundimit të detyrës honorifike.
Nga ana tjetër, Drejtori i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, i cili mori pjesë për herë të dytë si vëzhgues, konfirmoi kapacitetet e Policisë së Kosovës për të qenë pjesë integrale dhe e barabartë e SEPCA-s.



