Drejtori sportiv i Atleticos: Alvarez do të qëndrojë
Këtë javë kanë filluar spekulimet për një transferim të mundshëm gjatë verës te FC Barcelona për sulmuesin e Atlético Madrid, Julian Alvarez. Komentet e bëra nga sulmuesi argjentinas vetëm sa kanë shtuar dyshimet, megjithëse klubi madrilen është i vendosur ta mbajë atë në Riyadh Air Metropolitano.
Drejtori sportiv i Atleticós, Mateu Alemany, do të ketë detyrën për ta mbajtur Álvarezin në klub dhe, sipas raportimeve të së shtunës, ai foli për spekulimet rreth 26-vjeçarit.
“Siç ndodhi edhe me Antoine Griezmann, ai ka kontratë me ne dhe do të jetë me ne. Julián e ka thënë qartë se është shumë i lumtur te Atlético dhe gjithçka që ai thotë po interpretohet në mënyra të ndryshme. Ai ka edhe katër vite kontratë dhe shpresojmë që të vazhdojë edhe më gjatë, madje që kontrata t’i zgjatet. Nuk shoh asnjë lajm te Julián. Nuk ka asnjë problem, është thjesht një tjetër rast kur njerëzit kërkojnë diçka aty ku nuk ka asgjë. Pajtohem me atë që tha trajneri dje. I vetmi lajm janë paraqitjet e tij të jashtëzakonshme.”
Më herët gjatë javës u konfirmua se Apollo Sports Capital është bërë aksionari i ri shumicë te Atlético. Megjithatë, sipas Alemanyt, nuk priten ndryshime të mëdha në strukturën e klubit.
“Është një fond investimesh shumë i fuqishëm që vjen për t’i dhënë më shumë forcë projektit. Por gjëja e rëndësishme është se ata propozojnë të vazhdohet me menaxhimin që ka qenë deri tani në krye. Nuk parashikoj ndryshime në afat të shkurtër.”
Alemany u pyet gjithashtu edhe për ndeshjen e kthimit në 1/8 e finales së UEFA Champions League ndaj Tottenham Hotspur, ku Atlético udhëheq 5-2 pas ndeshjes së parë.
“Sa herë kemi parë përmbysje në Evropë? E kemi edhe përvojën e FC Barcelona (në Kupën e Mbretit). Në futboll gjithmonë duhet të vuash. Tottenham është një skuadër e nivelit shumë të lartë, ata përfunduan të katërtit në fazën e ligës.”



