
Drejtoria e Sportit në Prishtinë pas bllokimit të buxhetit: E pamundur mbështetja financiare për sportistët
Drejtoria e Sportit e Komunës së Prishtinës ka njoftuar sportistët, trajnerët, klubet dhe qytetarë e kryeqytetit se është bllokuar buxheti i Komunës së Prishtinës nga niveli qendror.
Drejtoria e Sportit bëri me dije se ka përfunduar me kohë dhe në mënyrë të rregullt të gjitha procedurat ligjore dhe administrative për hapjen e thirrjes publike për subvencionimin e sportistëve dhe klubeve sportive të kryeqytetit, një proces që është ndjekur çdo vit me seriozitet të lartë institucional, por bllokimi i buxhetit nuk lejon që të mbështeten sportistët që përfaqësojnë me dinjitet dhe krenari kryeqytetin brenda dhe jashtë vendit.
“Përkundër angazhimit dhe përgatitjes sonë të plotë, fatkeqësisht këtë vit jemi të pamundur të procedojmë me përkrahjen financiare për sportistët tanë, për shkak të bllokimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës nga niveli qendror. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në pamundësinë për të ofruar mbështetjen financiare për sportistët që përfaqësojnë me dinjitet dhe krenari kryeqytetin tonë, brenda dhe jashtë vendit. Sportistët tanë nuk meritojnë të jenë viktima të kalkulimeve politike, të cilat në vend që të forcojnë institucionet lokale dhe të mbështesin talentin vendor, po u pamundësojnë atyre ushtrimin e një të drejte themelore – përkrahjen institucionale që u takon me meritë”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie.
Drejtoria e Sportit ka shprehur keqardhje dhe i ka siguruar sportistët se mbetet e përkushtuar që, përkundër sfidave, të vazhdojmë angazhimin e pandërprerë në mbrojtje të të drejtave të komunitetit sportiv të kryeqytetit dhe në mbështetje të zhvillimit të mëtejshëm të sportit, si një prej shtyllave themelore të jetës sonë shoqërore dhe kulturore. “Shpresojmë fuqishëm që kjo situatë do të gjejë zgjidhje sa më parë dhe që do të na mundësohet rikthimi në funksionimin e rregullt institucional, për të vazhduar mbështetjen meritore për të gjithë ju që po e nderoni emrin e Prishtinës me përkushtim, sukses dhe profesionalizëm”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Drejtorisë së Sportit në Prishtinë.
/Epoka e re/