
Drejtoria rajonale e Policisë Gjilan, plan operacional për vitin e ri shkollor 2025 – 2026
Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2025-2026, ka ndërmarrë një sërë masash ligjore për ta garantuar rendin, me qëllim zhvillimin normal të procesit mësimor në shkolla dhe sigurinë në trafik afër shkollave.
Në kuadër të këtyre masave ka hartuar planin operacional “Fillimi i vitit të ri shkollor dhe Siguria në shkolla për vitin 2025-2026”, plan i cili parashikon hapa konkret për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit dhe stafin e shkollës, duke përfshirë bashkëpunimin e policisë dhe angazhimin e komunitetit shkollor.
Me këtë rast është planifikuar që në të gjitha shkollat dhe përreth ambienteve të tyre të ketë prani të shtuar të policisë me qëllim parandalimin e çdo rasti, por edhe parandalimin e aksidenteve të mundshme.
Nga njësitet e policisë në komunitet në kuadër të të gjitha stacioneve policore në nivel të Drejtorisë rajonale të Policisë Gjilan është vendosur bashkëpunim me autoritet edukativo-arsimore si në nivel të drejtorive komunale të arsimit, drejtorive të shkollave, këshillave të prindërve dhe këshillave të nxënësve duke përcaktuar masa të përbashkëta në implementim të projekteve e fushata vetëdijesuese me qëllim të parandalimit të dukurive negative dhe rritjes së nivelit të sigurisë në ambientet shkollore.
Njësiti i policisë në komunitet në kuadër të stacionit policor në Gjilan, me qëllim të vetëdijesimit të nxënësve, ka shpërndarë fletëpalosje me moton “Lëvizni sigurt në trafik”.