Drejtuesit e institucioneve të Kosovës nderojnë viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit

11 shtator 2025 | 11:13

Drejtuesit e institucioneve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Dimal Basha dhe kryeministri Albin Kurti, në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në ShBA, kanë homazhe pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Qeverisë, pranë Kuvendit.

Ata kanë vendosur kurora me lule pranë pllakës përkujtimore. Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë Kosova me krenari ka qëndruar dhe qëndron me ShBA-në, jo vetëm në kujtim dhe nderim të viktimave por për ta luftuar në mënyrë efetive të parandaluar terrorizmin kudo që ndodhë ai.

“Jemi së bashku ne kryetarin e  Kuvendit, me kryeministrin dhe përfaqësuesen e ambasadës së ShBA-së për t’i kujtuar edhe një herë të gjitha viktimat e sulmit të tmerrshëm terrorist të 11 shtatorit në ShBA dhe njëkohësisht për të nderuar edhe heroizmin e treguar nga të gjithë ata që u përgjigjën ndaj këtij sulmi duke rrezikuar edhe jetën e vet për të shpëtuar edhe jetën e të tjerëve. Në atë ditë bota u nda në dysh. Në ata që thellësisht besojnë në vlerat e lirisë, vlerat e humanizmit dhe qëndrojnë bashkërisht në mbrojtje të këtyre vlerave dhe në luftim të terrorizmit. Dhe pjesa tjetër ishin ata që besojnë në terrorizëm dhe shfrytëzojnë dashakeqësinë e terrorizmit për të shkaktuar dhimbje tek të tjerët. Kosova me krenari ka qëndruar dhe qëndron me ShBA-në, jo vetëm në kujtim dhe nderim të viktimave por për ta luftuar në mënyrë efetive të parandaluar terrorizmin kudo që ndodhë ai. Jemi krenarë që jemi partnerë të palëkundur të ShBA-ve”, ka thënë Osmani.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka thënë se 11 shtatori ka qenë sulm ndaj vlerave të lirisë dhe demokracisë.

“Populli ynë shqiptar gjendet krah popullit amerikan dhe jemi shumë mirënjohës dhe solidarizohemi me ta në këtë ditë të vështirë, ku 24 vjet më herët rreth 3 mijë viktima që pësuan me humbje jete, ndër ta kanë qenë edhe 3 shqiptarë. Ne qëndrojmë krahas vlerave të përbashkëta që i ndajmë me popullin amerikan për lirinë dhe demokraci dhe çfarëdo terrori që i kundërshton këto vlera”, ka thënë Basha.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se sulmi terrorist i 11 shtatorit njëkohësisht ka paralajmëruar rreziqet e mëdha që na presin në këtë shekull.

“I dedikohet viktimave të sulmit terrorist ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës kur 19 terroristë të Al Kaides me 4 avionë vranë 2977 amerikanë në mesin e të cilëve, tre shqipatrë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Cama, ata të cilët janë gjithashtu viktima të këtij sulmi mizor terrorist , i cili i ndryshoj edhe marrëdhëniet ndërkombëtare, por njëkohësisht edhe paralajmëroi rreziqet e mëdha që na presin në këtë shekull. Sot nuk janë vetëm aktorët parashtetërorë, por edhe shtete të cilat ushtrojnë terrorizëm Ne kemi pasur rastin në Kosovë ku strukturat e caktuara ilegale të udhëhequra nga Beogradi zyrtar kanë zhvilluar aksione terroriste në vendin tonë”, ka thënë Kurti.

Sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ishin një nga ngjarjet më tragjike në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. Katër aeroplanë pasagjerësh ishin rrëmbyer nga pjesëtarë të Al-Kaidës, dy u përplasën në Kullat Binjake në Nju-Jork, një në Pentagon dhe një tjetër në një fushë në Pensilvani, ku pasagjerët kishin tentuar t’i ndalonin rrëmbyesit. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas katër muajsh mungesë për shkak të lëndimit të pësuar…