
Drita e synon kualifikimin historik sonte në Ligën e Konferencës
28 gusht 2025
| 11:17
Drita do ta kërkojë sonte kualifikimin historik në garat evropiane.
Kampionia e Kosovës do të luajë në udhëtim me Differdange në ndeshjen e kthimit të “play-off”-it të Ligës së Konferencës. Gjilanasit e fituan betejën e parë me rezultat 2:1 javën e kaluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Drita e kishte mposhtur dy herë këtë ekip edhe në rrethin e parë kualifikues të Championsit.
Prandaj, trupa e Zekirija Ramadanit sonte do ta synojë fitoren e katërt ndaj ekipit nga Luksemburgu për ta parë veten në fazën e ligës në Ligën e Konferencës.
Paraprakisht, deri aty kishte arritur dy herë skuadra tjetër kosovare, Ballkani.
Ndeshja mes Differdanges dhe Dritës do të luhet sonte në Luksemburg duke filluar nga ora 20:00.