
Drita eliminohet nga Liga e Kampionëve
Kampioni i Kosovës, FC Drita, ka përfunduar aventurën në kualifikimet për Ligën e Kampionëve, pasi ka pësuar humbje edhe në ndeshjen e dytë të raundit të dytë kundër kampionit danez, FC Copenhagen. Ndeshja e zhvilluar sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në praninë e një numri të madh tifozësh u mbyll 1:0, në dobi të danezëve.
Pas humbjes 2:0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Danimarkë, Drita kishte një mision të vështirë për ta përmbysur disavantazhin. Megjithatë, përkundër angazhimit dhe përkushtimit maksimal në fushë, djemtë e drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani nuk arritën të përmbysin epërsinë e kundërshtarit, teksa gjërat u vështirësuan edhe më shumë kur në minutën e 27-të mbeti me një lojtar më pak, pasi Liridon Balaj u ndëshkua me karton të kuq për shkak të një ndërhyrje të ashpër.
Golin e vetëm të ndeshjes e realizoi sulmuesi danez, Andreas Cornelius, në minutën e 43-të, pas një aksioni të shpejtë dhe finalizimi të saktë nga brenda zonës.
Megjithatë, edhe me dhjetë lojtarë, Drita nuk u dorëzua dhe pati një mundësi ideale për të barazuar rezultatin në minutën e 66-të. Pas një gabimi të mbrojtjes së Copenhagenit, Veton Tusha u gjet i vetëm përballë portierit, por nuk arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Nga topi i kthyer nuk përfitoi as Blerim Krasniqi, duke shpërdoruar rastin më të mirë për skuadrën gjilanase në këtë takim.
Me këtë humbje, Drita mbyll pjesëmarrjen në garat kualifikuese për Ligën e Kampionëve, por do të vazhdojë garën në raundin e tretë të Ligës së Evropës.