Drita përfundon rrugëtimin në Ligën e Evropës, vazhdon në ‘play-off’ të Ligës së Konferencës

14 gusht 2025 | 22:17

Skuadra kampione e Kosovës, Drita, është eliminuar nga kualifikimet e Ligës së Evropës, pasi u mposht edhe në ndeshjen e kthimit të rrethit të tretë nga ekipi i njohur rumun, FCSB, me rezultat 3:1, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ndeshja për gjilanasit nisi shumë keq, pasi pësuan gol qysh në sekondën e 27-të nga Juri Cisotti. Mysafirët e dyfishuan epërsinë në minutën e 18-të përmes David Miculescu. Në pjesën e dytë, Drita ngushtoi shifrat me golin e Veton Tushës (52’), por në minutën e 68-të mbeti me një lojtar më pak pas përjashtimit me karton të kuq të Rron Brojës. Kjo e vështirësoi lojën për Dritën dhe mysafirët arritën të shfrytëzojnë epërsinë numerike në fushë me golin e tretë përmes Dennis Politic, në minutën e 85-të, duke vulosur fitoren e mysafirëve.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Bukuresht, Drita ishte mposhtur 3:2, duke e mbyllur këtë duel me rezultat të përgjithshëm 6:3 në favor të rumunëve.

Megjithatë, ekipi i trajnerit Zekirija Ramadani do ta vazhdojë aventurën evropiane në ‘play-off’ të Ligës së Konferencës. Më 21 dhe 28 gusht, Drita do të përballet me skuadrën nga Luksemburgu, Differdange, kundërshtar të cilin e kishte eliminuar në rrethin e parë të Ligës së Kampionëve këtë edicion.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vitin 1997, Presidenti Bill Clinton, një Demokrat, e emëroi…