
Drita siguron titullin e kampionit
Skuadra e Dritës e ka siguruar titullin e kampionit të Kosovës, katër xhiro para përfundimit të edicionit 2024/25 në Albi Mall Superligë.
Në ndeshjen e javës së 32-të, të zhvilluar të dielën në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, Drita e mposhti Llapin, me rezultat 1:0. Golin e vetëm dhe të fitores e realizoi Iljasa Zulfiu, në minutën e 84-t, nga gjuajtja e lirë.
Me këtë fitore, Drita arriti në kuotën e 69 pikëve dhe krijojë një diferencë prej 12 pikësh ndaj Ballkanit të vendit të dytë. Duke pasur parasysh që Drita i ka fituar të tri përballjet direkte ndaj Ballkanit në këtë edicion, edhe në rast të barazimit eventual të pikëve në fund të kampionatit, ekipi gjilanas e ka të sigurt titullin.
Ky është titulli i katërt kampion në histori për Dritën, pas atyre të fituar në vitet 2003, 2018 dhe 2020.