Dritëro Shaqiri, shembull i performancës dhe përzgjedhjes së thesarit të këngës popullore

18 maj 2020 | 16:03

Shkruan: Ismet Bexheti

Në kuadër të fushatës “Rri n’ Shpi”, në këtë kohë pandemie, në vazhdën e koncerteve televizive, Klan Kosova me 15.05.2020 mbajti koncertin e radhës në Gjilan me këngëtarin Dritëro Shaqiri.

Duke e krahasuar me koncertet e këngës popullore të natyrës së tillë që janë mbajtur deri më tani nëpër ekranet televizive, koncertin solistik të Dritëro Shaqirit e karakterizon një gjithëpërfshirje e komponenteve që kërkon një performancë muzikore, duke u nisur nga përzgjedhja shumëdimenzionale e repertorit, realizimi tonik profesional, skenografia në nivel, si dhe regjia tashmë e dëshmuar. Gjitha këto elemente që janë të ndërlidhura dhe që e bëjnë një koncert të suksesshëm ose jo, janë edhe një tregues për përkushtimin e madh dhe përgjegjësinë që duhet pasur para publikut, edhe në aspekt të performimit e poashtu edhe të organizimit.

Muzika popullore, po dëshmon që ende është zhanër dominues dhe pjesë e “konsumit” tonë të përditshëm. Andaj është tepër me rëndësi, dhe përgjegjësi e madhe se çfarë i ofrohet “konsumatorit”. Në këtë kontekst, ky koncert dëshmoi për një përzgjedhje të repertorit me vlera të mirëfillta popullore dhe, për më shumë, me një mozaik këngësh nga të gjitha trojet shqiptare. Në këtë program të larmishëm më këngët karakteristike u përmblodh repertori I këngëtarëve, duke u nisur nga Gjilani e për të vazhduar me ato shkodrane, tiranase, të Shqipërisë së mesme e deri te këngët beratase si kënga Rroka mandolinën ( këngë e cila, si duket, prej kohës së prurjes së mandolinës në trojet shqiptare, këngëtarët beratas si dhe në gjitha trojet shqiptare, këngëtaret e kanë pjesë të repertorit të tyre).

Repertori i këtij koncerti është tregues se Gjilani është një vatër e kulturës së muzikës popullore, me artistët të cilët më shumë kanë tendenca të afirmimit dhe kultivimit të këngës së mirëfilltë popullore se sa tendeca kush të dalë më shpesh në ekranet televizive.

Pra, Dritëro Shaqiri, me këtë koncert reflektoi shembullin më të mirë të këngëtarëve në prezantimin e vlerave të mirëfillta muzikore të këngës popullore qytetare. Për më tepër, ky koncert solistik I Dritëro Shaqirit ishte shembull se si duhet të respektohet arti, profesioni, publiku e mbi të gjitha një medie nacionale.

Duke qenë dëshmitarë të performancave nëpër mediumet nacionale me një mosrespektim “protokoli” nga një pjesë e këngëtarëve, në këtë koncert u kursyem nga shprehjet dhe fjalët që janë më tepër se eksklamacione, gjëra që nuk e degradojnë vetëm mediumin.

Përkujdesja dhe profesionalizmi në aspektin e realizimit audio-vizuel, ishte e veçanta tjetër e mirë e këtij koncerti. Një realizim profesional dhe pajisje teknike adekuate profesionale të ipte një tingullimë e cila deri më sot ka munguar në natyrën e këtyre koncerteve popullore. Gjithashtu edhe skenografia e thellë “tredimenzionale” e gërshetuar me regjinë tashmë të dëshmuar, e thente monotoninë e koncerteve të mëhershme dhe bënte të mos vërehet fare mungesa e publikut prezent.

Për fund, edhe pse këto koncerte e kanë një qëlim kryesor që lidhet me këto kohëra të vështira të pandemisë, megjithatë mediat elektronike kanë përgjegjësi ndaj publikut dhe nuk duhet t’i nënshtrohen e për më keq edhe ta propagojnë jovlerën, por me korrektësi profesionale edhe redaksitë e tyre të muzikës të ofrojnë vlera të mirëfillta muzikore.

Krahas kësaj, një koncert si ky, le të jetë motiv edhe për artistët e tjerë që në organizime të tilla domosdoshmërisht të marrin parasysh gjitha parakushtet për performancë sa më të lartë, sepse në këtë mënyrë do të mbetet e lartësuar edhe vetë kënga popullore.

DRITËRO SHAQIRI, SHEMBULL I PERFORMANCËS DHE PËRZGJEDHJES SË THESARIT TË KËNGËS POPULLORENë kuadër të fushatës “Rri n’…

Publiée par Ismet Bexheti sur Lundi 18 mai 2020

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, u ka…