Dronë e automjete të blinduara – prej cilave shtete ka blerë armatim Kosova gjatë viteve të fundit?

29 shtator 2025 | 18:12

Forca e Sigurisë së Kosovës, aktualisht, është në proces të transformimit në ushtri.

Ky proces filloi në vitin 2018, pas miratimit të ndryshimeve ligjore, dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Kosova, me një popullsi prej 1.5 milion banorësh, pritet të ketë më shumë se 7.500 ushtarë aktivë dhe rezervistë, si dhe një forcë policore prej rreth 9.000 pjesëtarësh.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur transformimin e FSK-së në ushtri që nga fillimi, por jo edhe NATO-ja, e cila këmbëngul që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj origjinale, siç janë reagimi ndaj krizave ose mbrojtja civile.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës konfirmon për Radion Evropa e Lirë se “të gjitha armët që Kosova ka blerë në katër vjetët e fundit, janë në përputhje me standardet e NATO-s. Ato janë kryesisht armë të blera nga Shtetet e Bashkuara, Turqia, Gjermania dhe vende të tjera”.

Zëdhënësja Liridona Gashi nuk zbulon se sa është shpenzuar këtë vit për armatim, por thekson se kjo qeveri ka investuar “shumëfish më shumë” se të kaluarat.

Në shtator, FSK-ja ka pranuar dronë të blerë nga Shtetet e Bashkuara – modeli RQ-20 Puma LE.

Në gusht, FSK-ja është pajisur edhe me automjete të blinduara, të blera nga Shtetet e Bashkuara.

Vitin e kaluar, ajo ka paraqitur kërkesë për të blerë edhe 200 raketa antitank, Javelin, dhe tani është në proces të pagesës.

Kosova ka blerë edhe një flotë të dronëve turq, Bayraktar, në vitin 2023.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se Kosova ka blerë dronë Bayraktar në vitin 2023.

Në vitin 2018, nga SHBA-ja në Kosovë kanë arritur edhe automjete ushtarake të tipit Humvee. Qeveria e Kosovës, atëkohë, ka nënshkruar një kontratë me kompaninë amerikane AM General për blerjen e 51 automjeteve të këtij lloji.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për marrëdhëniet…