
Dronët turq në Kosovë s’i pëlqyen Vuçiqit, Osmani: S’mund ta kërcënosh Turqinë si fqinjët tuaj
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, i ka reaguar presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili e sulmoi Turqinë, pasi Kosova pranoi mijëra dronë kamikaz nga ky shtet.
Osmani tha se në të njëjtën ditë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump e lavdëroi Turqinë dhe Erdoganin për udhëheqjen në promovimin e paqes dhe sigurisë globale, Vuçiqi “pa turp po e sulmon Turqinë, një vend që si anëtare e NATO-s, po na ndihmon në mbrojtjen e paqes”.
“Jam krenare që kam punuar ngushtë me Presidentin Erdogna, një njeri fjale, që gjithmonë ka treguar kujdes të thellë dhe të sinqertë për të gjithë popujt e rajonit tonë, dhe që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e stabilitetit, sigurisë dhe paqes”.
“Ndërkohë, Vuçiqi duket se beson se mund të kërcënojë një vend të madh të NATO-s si Turqia, në të njëjtën mënyrë siç kërcënon vendet fqinje. Në vend që të bashkëpunojë ngushtë me shtetet anëtare të NATO-s, ai po e shtyn përpara bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, Kinën dhe Iranin”, shkroi Osmani.
Tutje, e para e shtetit tha se Kosova do të vazhdojë të forcojë lidhjet me aleatët e NATO-s, duke modernizuar kapacitetet mbrojtëse sipas standardeve të NATO-s, për të siguruar paqe dhe stabilitet për popullin dhe për të kontribuar në mënyrë aktive në sigurinë e përgjithshme.
“Vuçiqi duhet të përpiqet të bëjë të njëjtën gjë, në vend që të sulmojë vazhdimisht fqinjët e tij. Por, për mendësinë e tij hegjemone, të mbetur në të kaluarën dhe të fiksuar pas frikësimit të të tjerëve, një pjekuri e tillë duket e paarritshme”.
On the same day that President Trump praised Türkiye and President Erdoğan for their outstanding leadership in promoting global peace and security, Vucic is shamelessly attacking Türkiye, a country who, as a NATO member state, is helping us defend peace.
I am proud to have…
— Vjosa Osmani (@VjosaOsmaniPRKS) October 8, 2025