“Duam Vjosën”; “Kryeministër, mos filozofo!”: Vërshimi i komenteve pro-Osmanit që po “pushton” faqen e Vetëvendosjes

01 mars 2026 | 21:15

Vetëm tri ditë e ndajnë Kosovën nga zgjedhja e Presidentit të ri ose shpërbërja automatike e legjislaturës dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që Kryeministri Albin Kurti pretendon t’i interesojë një “figurë konsensuale” – përpjekje që kulmoi me refuzimin e hapur nga Murat Jashari i familjes heroike – duket se elektorati i tij e ka tashmë përgjigjen gati. Ndërsa Vetëvendosje dhe vetë partnerët e koalicionit nga radhët e GUXO-s po e shmangin qëllimshëm emrin e Vjosa Osmanit, një realitet krejt tjetër po zhvillohet online. Faqja zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook po vlon nga komente që i kërkojnë Kurtit me ngulm mbështetjen e Vjosa Osmanit për rizgjedhjen e saj Presidente.

Në bazë të komenteve të shumta që ka analizuar Nacionale në faqen e Vetëvendosjes, shumica e reagimeve i ngjanë një paralajmërimi ndaj kreut të Lëvizjes Vetëndosje, në rast se ai distancohet përfundimisht nga përkrahja për Osmanin.

Një ndër komentet më të pëlqyera – i cili mblodhi 46 likes – i drejtohet drejtpërdrejt numrit një të qeverisë:

“Kryeminister me respektin ma te madh qe kemi per ty lej fjalt dhe kandido Vjosen per presidente se Populli e do ate si te duam ty.”

Më tej, komentuesit tregojnë revoltë kundër idesë së përdorimit të figurave historike si mburojë për kompromise politike, veçanërisht pas kërkesës së Kurtit drejtuar Jasharajve.

Një qytetar i indinjuar shkruan:

“Z. Kryeministër, familja heroike e Adem Jasharit nuk është mjet politik! Ata simbolizojnë lirinë e kombit tonë dhe nuk duhet të përfshihen për interesa personale në politike. Presidentja jonë Znj. Vjosa Osmani po bën një punë të shkëlqyer – një lidere që çdo popull do të dëshironte ta kishte!”

Ky presion nga poshtë vjen në një moment dramatik, kur brenda vetë listës GUXO raportohet për presione të ashpra nga Donika Gërvalla për të mos e mbështetur Osmanin.

Por, komentuesit duket se nuk ndajnë mendimet e njëjta. Ata insistojnë se Kurti duhet t’i qëndrojë Osmanit në krah edhe për një mandat të dytë:

“Vjosa presidente apet.”; “Duam Vjosen”; “Vjosa” – komente të tilla mund të hasen thuajse pambarim në postimin e fjalimit të Kurtit mbi çështjen e zgjedhjes së Presidentit.

Dikush madje e akuzon Kurtin se po bën “fushatë” me krejt këtë situatë: “Veq ngone tash tu ba fushat se paske ndermend vjosen me ba ma.presidente”

Një komentues e përmbledh atë që duke si ndjesi e shumicës së elektoratit të kësaj partie, duke shkruar: “Vjosa Osmani dhe askush tjeter ,mos filozofoni ma!”

Disa nga komentet në faqen e Vetëvendosjes në Facebook:

/Nacionale/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme po rriten pas operacioneve…