Duda Balje deklarohet për audioincizimin me Shehollin: Është i vjetër – s’ka deputet nga komunitetet që s’ka folur me të

10 tetor 2025 | 21:39

Deputetja boshnjake, Duda Balje, e cila është përfshirë në një audioincizim me të dyshuarin për spiunazh, Fatmir Sheholli, ka mohuar se biseda me të ka pasur qëllime antikombëtare.

Incizimi që është publikuar nga televizioni publik, Balje ka thënë se është i vjetër më shumë se 6 vjet në kohën kur ka qenë funksional grupi multi etnik.

Ajo ka implikuar Lëvizjen Vetëvendosje në këtë publikim. Ka thënë se kjo është goditje nga partia më e madhe për shkak të “mosbashkëpunimit me ta”.

“Nëse vërehet, unë jam duke përmendur GP 6+ i cili nuk ekziston që një kohë të gjatë. Incizimi është i vjetër. Zëri im në këtë incizim është vetëm në fillim kur unë e konstatoj se nuk kam asnjë kontakt me asnjë, nuk kam komunikuar me asnjë dhe jam koncentruar në bisedën me grupin tim parlamentar. Pastaj fillon biseda me personin e dytë, Amir Rrustemoviq, i cili ku punon tash e për kë punon unë nuk e di”, ka thënë ajo për Kohën.

Balje ka thënë se s’ka kontakte me asnjërin prej personave të përfshirë në video incizim. Thotë se me aq sa i kujtohet tema ka qenë “vehabizmi”. Ajo ka theksuar se nuk ka deputet nga grupi multietnik që nuk ka bashkëpunuar me Shehollin në kuadër të aktiviteteve të tij në Institutin për Avancimin e Marrëdhënieve Ndëretnike.

“Unë tash nuk jam shumë e sigurt, por temë kanë qenë vehabistët me të cilët ne në Prizren kemi pasur shumë problem dhe kjo ka qenë tema mendoj. Me z.Shehollin nuk ekziston asnjë deputet i komunitetit i cili nuk ka biseduar me të. Jam e bindur për këtë sepse ka pasur një institut për komunitete dhe këto kanë qenë arsyet se pse shpesh ka biseduar me ne”, ka deklaruar ajo.

Ka thënë se s’ka kontakt me asnjërin prej personave që jam në incizim dhe se angazhimi i saj si deputete asnjëherë nuk ka qenë kundër interesit të shtetit të Kosovës.

“Unë nuk e di çka ka bërë, a tek ka bërë (Sheholli), s’jam kompetente të bëj ndonjë deklarim, por dua të them se nuk e kam asnjë kontakt me asnjërin prej personave që jam në incizim. Asgjë nuk kam bërë të keqe. Dua të them që qe 4-5 mandate që jam deputete, me plot përgjegjësi mund të them se asnjëherë, asnjë gjë, bile edhe të vogël nuk kam bërë kundër shtetit tim Kosovës. Asnjëherë”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, pas mosbashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje në legjislaturën e re, kjo është goditja e dytë që i vije nga kjo parti.

“Në këtë mandat prej momentit kur unë kam vendosur të mos e përkrah Lëvizjen Vetëvendosje këtu është praktikisht goditja e dytë. Te e para ma kanë prekur familjen, prindërit e fëmijët e tash personalisht ndaj meje”, ka shtuar ajo.

Të premten, televizioni publik e publikoi një audioincizim të të dyshuarit për spiunazh, Fatmir Sheholli, me dy persona, për të cilët fillimisht nuk ishte bërë e ditur se kush janë. Aty Sheholli dëgjohet duke pohuar miqësinë dhe lidhjet e tij të forta me Milan Radoiçiqin.

Fatmir Sheholli është arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës me asistencë të pjesëtarëve të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, nën dyshimin për “spiunazh”.

Në fillim të viteve të 90-ta Sheholli ka qenë pjesëtar i Sigurimit Shtetëror të Serbisë./Paparaci.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur…