Duda Balje reagon përsëri pas shkarkimit të anëtarëve të partisë së saj nga postet qeveritare
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, ka reaguar sërish pas shkarkimit të dy anëtarëve të partisë SDU, të cilën ajo e drejton, nga postet e tyre qeveritare.
Balje në “Facebook” u është përgjigjur komentuesve që, sipas saj, e kanë “gozhduar” pas reagimit të djeshëm, ku kishte shkruar: “Hakmarrja nuk ka nisur, veç ka vazhduar.”
Me këtë deklaratë, ajo ka lënë të kuptohet se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është hakmarrë ndaj saj për faktin që nuk e ka votuar qeverinë “Kurti 3”.
Balje ka bërë me dije se gati 400 njerëz kanë komentuar në reagimin e saj, e të cilat siç ka theksuar ajo, linçime mediatike, fyerje, kërcënime dhe shantazhe vetëm “e pastrojnë nga mëkatet”.
“Prej tetë muajsh po përpiqeni në mënyrë të organizuar të bëni të njëjtën gjë, dhe tashmë është bërë monotone, pa asnjë rezultat konkret. Asnjë koment i juaji nuk mund të ndryshojë asgjë në jetën time. Të gjitha ato gënjeshtra, linçime mediatike, fyerje, kërcënime dhe shantazhe vetëm më pastrojnë mëkatet. Në emër të kësaj uroj të jeni mirë dhe me shëndet ju dhe familjet tuaja”, ka shkruar deputetja Balje.



