
Dugolli: Historia, lënda më e suksesshme në Testin e Arritshmërisë 2025
Shkruan: Bujar Dugolli
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka publikuar rezultatet e Testit të Arritshmërisë të mbajtur më 27 qershor 2025.
Një statistikë bie menjëherë në sy: lënda e historisë ka shënuar përqindjen më të lartë të arritshmërisë në nivel vendi, me 61.1%, duke lënë pas të gjitha lëndët e tjera!
Ky rezultat nuk është i rastësishëm. Përkundrazi, ai është dëshmi e përkushtimit, përgatitjes profesionale dhe cilësisë akademike që buron nga Departamenti i Historisë në Universitetin e Prishtinës, institucioni i vetëm i arsimit të lartë në vend që përgatit kuadro arsimore për këtë lëndë kaq të rëndësishme.
Këto të dhëna flasin për një punë të palodhshme dhe një traditë të konsoliduar akademike, që ka ditur të formojë mësimdhënës të përkushtuar, të pajisur me dije të thella shkencore dhe me metodologji bashkëkohore të mësimdhënies.
Në një kohë kur arsimi përballet me sfida të shumta, ky sukses është një burim shprese dhe motivimi.
Nxënësit dhe studentët janë pasqyra më e mirë e punës sonë, dhe ky rezultat është vlerësimi më i drejtë për mësimdhënësit e historisë dhe për institucionin që i formon ata.
Urime të përzemërta të gjithë nxënësve, mësimdhënësve anembanë Kosovës dhe stafit të Universitetit të Prishtinës!