Dugolli i LV-së sinjalizon se Kurti mund t’i shkruajë letër Hamzës për takim
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka pretenduar se e kanë shumë seriozisht që ta zgjidhin çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri, duke shtuar se shefi i tij, Albin Kurti, po bën përpjekje në këtë drejtim.
I pyetur për deklaratën e kreut të PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka thënë se partia e tij pret ftesë zyrtare për takim nga Kurti për t’iu përgjigjur, Dugolli tha se edhe “ftesa gojore” është zyrtare.
“Deklarimi i zotit Kurti se do t’i konsultojë partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit është zyrtar, por edhe do të formalizohet, pse jo, edhe me ftesa zyrtare. Por ftesat zyrtare janë edhe gojore, nuk janë vetëm ato me shkrim. Ne jemi të interesuar që seriozisht të komunikojmë dhe ta zgjidhim këtë çështje. Pritet që të takohen Kurti dhe Hamza, prandaj uroj që me një komunikim përmbajtjesor të tejkalohet edhe kjo çështje”, ka thënë Dugolli për “RTV21”.
Dugolli ka thënë se barra për tejkalimin e krizës për presidentin i ngarkohet opozitës. Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje deri më tani ka propozuar dy anëtarë të saj për pozitën që kërkohet një figurë unifikuese.
“Nëse opozita do t’i shmangë zgjedhjet, zgjidhja është aty. Ne po konsiderojmë që vendi ka nevojë që të zgjidhet presidenti dhe të shmangen zgjedhjet”.
“Jemi shumë të interesuar që të zgjidhim këtë çështje, ndërsa këmbënguli se partitë opozitare janë ato që do t’i evitonin zgjedhjet”, ka thënë Dugolli.



