Duhet ndryshuar skenari i përzgjedhur në draftin e strategjisë për energjinë 2022-2031

18 korrik 2022 | 11:33

Sylejman Berisha

Qeveria e Kosovës do duhej të reflektoj dhe të korigjoj skenarin aktual të  përzgjedhur në këte Draft të Strategjisë për Energji. Kosova, do të stabilizohet e rehatohet në kuptimin energjetik e besa edhe do të rrespektohet në regjionin tonë të trazuar, vetëm atëherë kur do të kemi stabilitet të furnizimit me energji në vend dhe eventualisht të eksportoj energji në vendet për rreth. Ky rehatim, mund të ndodh vetëm me instalimin e një kapaciteti të ri termoenergjetik në Kosovë, me teknologji moderne të paisjeve për sigurim të lëndëve të para, me teknologji moderne përpunuese, dhe në veqanti me paisje moderne me shkallë të  lartë për pastrim të ajrit ujit dhe tokës, si masë rigoroze e parandalimit dhe minimizimit shkallës së ndotjes në termocentrale e më gjerë.

Strategjia nga aspekti struktural, në  parim përmban një Vizion, disa Objektiva dhe Synime specifike apo caqe, të cilat shpiejnë vendin tek vizioni i përcaktuar në Strategji. Në Draft Strategjinë e Energjisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2022-2031 është vendosur Vizioni i strategjisë “Një sektor energjetik pa CO2 deri në vitin 2050, i integruar në tregun Pan-Evropian, që garanton siguri të furnizimit me energji elektrike dhe përballueshmëri për qytetarët”. Kjo Strategji pretendon të ofroj sigurimin e energjisë së besueshme, energji me kosto të përballueshme, dhe energji të pastër, thelbësore për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe mirëqenien sociale të qytetarëve. Mandej, parashifet që sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të integrohet në tregun rajonal dhe atë pan-Evropian, ndërsa pavarësia energjetike do të sigurohet gjithnjë e më shumë përmes burimeve të ripërtëritshme të energjisë (BRE), integrimi i tregut me Republikën e Shqipërisë si prioritet i lartë dhe veçanërisht i rëndësishëm për shtetin tonë. Konsiderohet hap i rëndësishëm funksionimi i plotë i Bursës Shqiptare të Energjisë  (ALPEX), i cili pritet të realizohet në fillim të vitit 2023. Në draftin e Strategjisë, poashtu parashifet të rritet planifikimi i përbashkët të sistemit energjetik me Republikën e Shqipërisë si dhe (bashkë)investimi në termocentralet me gaz natyror me qëllim të mbulimit të kërkesës bazë, si me Shqipërinë, Maqedonin e Veriut apo me Greqinë.

Në Draftin e Strategjisë identifikohen problemet aktuale me energjinë që kanë sjellur vendin tonë në këte gjendje për shkak të mungesës së planifikimit të mirë dhe investimeve përgjatë dekadave të fundit, ku thuhet që, sektori i energjisë në Kosovë  sot përballet me sfida si:

  • Varësinë nga termocetralet e vjetra me linjit, të cilat nuk garantojnë furnizimin e rregullt me energji elektrike, jo fleksibilitetin e duhur të sistemit elektroenergjetik, dhe këto sisteme shkaktojnë emetime të larta të gazrave serë (GS) dhe ndotje në mjedis.
  • Konsumin e lartë të energjisë dhe shpenzimet e larta për energji në raport me BPV-në dhe me popullsinë, si rrjedhojë e; humbjeve të mëdha në rrjet, ndërtesave joefiçiente dhe pajisjet joefiçiente (p.sh., pajisjet shtëpiake, pajisjet për ngrohje të hapësirave dhe të ngrohjes së ujit) si në sektorin e banimit edhe në atë komercial e publik;
  • Varësinë e lartë nga sistemet e ngrohjes individuale të amvisërive, me energji elektrike ose pajisje joefiçiente të djegies së drurit ose thëngjillit, gjë që rrit dukshëm nevojën për import të energjisë elektrike në vend (veqanërisht situata aktuale).

Duke marrë parasysh situatën dhe problemet aktuale, janë vendosur pesë objektiva strategjike bashkë me synimet e tyre specifike që përbëjnë thelbin e Strategjisë për Energjinë e Kosovës për periudhën 2022-2031;

Objektivi i parë i Strategjisë: Përmirësimi i besueshmërisë dhe sigurisë së sistemit elektrik i trajtuar në katër objektivat specifikë: Rritja e fleksibilitetit të sistemit, modernizimi i rrjetit dhe zvogëlimi i humbjeve në rrjet, rehabilitimi i kapaciteteve ekzistuese për prodhimin e energjisë elektrike dhe investimet në kapacitete të reja si dhe siguria kibernetike e sektorit të energjisë.

Caqet kryesore të këtij objektivi të Strategjisë janë:

  • Përmirësimi i cilësisë së treguesve të furnizimit: Ulja e indeksit të kohëzgjatjes mesatare të ndërprerjes (SAIDI) për 35% dhe Indeksit mesatar të shpeshtësisë së ndërprerjes (SAIFI) për 30% deri në vitin 2031,
  • Lansimi i shërbimeve të rezervës së bazuar në treg dhe arritja e së paku 170 MW të kapacitetit të rregullimit fleksibil deri në vitin 2031,
  • Zvogëlimi i humbjeve në rrjet të shpërndarjes deri në nivelet e humbjeve aktuale teknike të BE-së (9%),deri në vitin 2031,
  • Rinovimi i dy njësive të Termocentralit “Kosova B” dhe së paku një njësie të Termocentralit “Kosova A” deri në vitin 2024.

 Objektivi i dytë i Strategjisë: Dekarbonizimi dhe promovimi i energjisë së ripërtëritshme; Zvogëlimi i emetimeve të dioksidit të karbonit (C02) do të shoqërohet me zhvillimin e kapaciteteve të mëdha të BRE-ve, zvogëlimi i gjenerimit të energjisë elektrike me bazë linjiti.

Ky Objektiv Strategjik trajtohet përmes tri synimeve specifike: Zbatimi gradual i caktimit të çmimit të karbonit; Promovimi i energjisë së ripërtëritshme në miksin e gjenerimit të energjisë elektrike; Promovimi i përdorimit të energjisë së ripërtëritshme në ngrohje.

Caqet kryesore për këtë objektiv janë: Përfundimi i të gjitha përgatitjeve për zbatimin e një sistemi për caktimin e çmimit të karbonit deri në vitin 2025, ku çmimi i karbonit do të rritet gradualisht deri në integrimin e Kosovës në tregun pan-Evropian dhe në Sistemin e Tregtimit të Emisioneve të BE-së (EU ETS), ulja e emetimeve të gazrave serë në sektorin energjetik për së paktën 32% deri në vitin 2031, Mbulimi i të paktën 35% të konsumit të energjisë elektrike nga BRE-të deri në vitin 2031, Zhvillimi i kapaciteteve të reja të BRE-ve të erës dhe fotovoltaike, prej së paku 1400 MW deri në 2031.

Objektivi i tretë i Strategjisë : Rritja e efiçiencës së energjisë; zhvillimi ekonomik me intensitet më të ulët të shfrytëzimit të energjisë e cila do të zvogëloj varësinë nga importi, dhe zvogëlimin e barrës financiare për qytetarët dhe bizneset.

Ky objektiv është trajtuar me anë të 2 synimeve specifike: Përmirësimi i efiçiencës së energjisë së ndërtesave;  Promovimi i sistemeve të kogjenerimit efiçient dhe ngrohjes qendrore efiçiente.

Caqet kryesore të këtij objektivi janë:

  • Kufizimi i konsumit final të energjisë në nivel prej 1877 ktoe në vitin 2031,
  • Arritja e kursimit kumulativ të energjisë prej 283 ktoe në ndërtesa, përfshirë ndërtesat publike, private dhe komerciale deri në vitin 2031,
  • Ndërtimi i 150 ndërtesave me konsum të energjisë afër zero deri në vitin 2031,
  • Objektivi i katërt i Strategjisë: Forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe funksionimit të tregut.

Kosova zotohet që të zbatojë të gjitha obligimet e Traktatit të Komunitetit të Energjisë për krijimin e një tregu energjetik të lirë, të integruar dhe konkurrues, për të arritur sigurinë e furnizimit përmes integrimit në tregje rajonale, duke mbështur edhe konkurrencën dhe optimizimin e  tregun e shitjes me shumicë dhe rezervë. Integrimi i tregut me Shqipërinë duke filluar me funksionimin e plotë të ALPEX-it, si në tregun “brenda ditës” ashtu edhe në tregun e “një ditë para” të energjisë elektrike.

Ky objektiv strategjik adresohet me anë të tri qëllimeve specifike: Fuqizimi i bashkëpunimit rajonal; Heqja e barrierave për funksionimin efikas të tregut;  Aftësimi në fusha që lidhen me energjinë dhe përfshirja e grave. Caqet kryesore për këtë objektiv strategjik janë: Integrimi i tregut me Shqipërinë në vitin 2023, Integrimi në zonën e tregut pan-Evropian në vitin 2030, rritja e numrit të diplomuarve në fusha të lidhura me energjinë duke u siguruar që së paku 25% e të punësuarve në këtë sektor do të jenë gra, deri në vitin 2031.

Dhe, Objektivi i pestë i Strategjisë: Mbrojtja dhe fuqizimi i konsumatorëve

Strategjia e Energjisë i vendos qytetarët në qendër, duke i mbështetur konsumatorët e cenueshëm në mënyrë që të mund t’i përballojnë faturat e energjisë dhe të investojnë në efiçiencë të energjisë (të ndërtesave dhe pajisjeve shtëpiake) dhe zgjidhje të ngrohjes. Ky objektiv strategjik trajtohet me anë të tri qëllimeve specifike: Mbrojtja e konsumatorëve në nevojë; Fuqizimi i  konsumatorëve; Ruajtja e shëndetit të njeriut dhe mjedisit.

Caqet kryesore për këtë objektiv strategjik janë:

  • Rishikimi i skemës aktuale mbështetëse të çmimeve për programin e konsumatorëve në nevojë, dhe themelimi i programit të ri, deri në vitin 2024,
  • Vendosja e të paktën 2 skemave të reja dedikuar konsumatorëve në nevojë (p.sh. për efiçiencën e energjisë, zgjidhjet e ngrohjes, panelet diellore, etj.) deri në vitin 2024, dhe 4 skema deri në vitin 2031,
  • Zhvillimi i më shumë se 2 programeve që mbështesin projektet e komuniteteve të energjisë në efiçiencë dhe vetë-konsum deri në vitin 2024 dhe më shumë se 5 programe deri në vitin 2031,
  • Zbatimi i të paktën 9 fushatave vetëdijësuese dhe informuese në lidhje me energjinë çdo vit,

Nga aspekti ligjor, drafti i Strategjisë për Energji është i mangët, meqë nuk kemi informatë për hartimin e Planit të Veprimit Konkret të realizimit të ovjektivave të Strategjisë për Energjinë, sepse në parim secila strategji duhet të shoqërohet edhe me Planin e Veprimit Konkret. Në Planin e Veprimit Konkret vendosen akterët kryesor; (Institucione publike shtetërore e komunale, ndërmarrje publike e private, organizata joqeveritare) të cilët do të janë bartës të realizimit të obligimeve të përcaktuara në strategji, fondet e shtetit, Institucionet bankare vendore e ndërkombëtare si pjesëmarrës investiv në realizimin e caqeve dhe objektivave të strategjisë, afatet kohore të realizimit si dhe kostoja e sakt e hargjimeve për realizimin e Strategjisë nëpër vite.

Në përshkrimin e skenarëve të analizuar në këte Strategji, thuhet që nga pesë skenarët e vlerësuar në detaje, prej të cilëve dy të fokusuar në zhvillime të ndryshme me bazë linjiti, dy të fokusuar në zhvillimet e gazit natyror (infrastruktura e brendshme dhe bashkëpunimi i jashtëm) është zgjedhur një skenar i fokusuar në kapacitete më të larta të BRE-ve dhe kapacitete më të ulëta linjiti. Personalisht jam shumë i bindur që ky skenar tingllon mirë (në letër) meqë janë vendosur caqet të larta; si rritja e shfrytëzimit të burimeve të energjisë së ripërtritshme( erë, energji solare, energji termale, biomasë, ujë), renovime të ndërtesave për zvoglim të energjisë për ngrohje, ngritjen e ngrohtoreve në disa qytete me baza të shfrytëzimit të gazit natyror, reduktimin enorm të përqëndrimit të ndotësve mjedisor( Nox, SO2, CO, CO2, Pluhuri) të cilët në shumicë vijnë si rezultat i punës së termocentraleve dhe transportit rrugor,  si dhe parashifen renovimi i Termocentraleve A dhe B. Duke njohur mirë kapacitet e BRE-ve në Kosovë, kostove ende të shtrenjta të cmimeve të paisjeve për instalim, shkalla aktuale ( vetëm 6,3 %) e shfrytëzimit të kapaciteteve të BRE-ve në konsumin e energjisë elektrike,  procedurave të komplikuara e burokratike të paisjes së investitorëve potencial me dokumentacione përkatëse nga shteti ynë, monopolizimi me kapacitete energjetike, më duhet të konstatoj që caku i parapar që, në vitin 2024 të jet 13 % shfrytëzimi i kapaciteteve të BRE-ve e në vitin 2031 të arrihet në 35 % realizimi i shfrytëzimit të BRE në konsumin e energjisë elektrike në vend do të mbetet vetëm cak në letër i cili nuk do të realizohet.

Pastaj, thuhet që kapacitetet e ripërtëritshme në sektorin e energjisë elektrike të cilat aktualisht janë rreth 244 MW, në vitin 2024 do ti rrisim në 490 MW e në vitin 2031 do arrijmë në 1300 MW(mbetet për të dëshiruar). Kapaciteti i instaluar i BRE-ve në sistemet e ngrohjes qendrore aktualisht është 15 MWth në vitin 2025 do rriten në 85 MWth.

Skenarët e shfrytëzimit final të energjisë të dhënë nëpër vite gjithashtu janë diskutabil dhe relativ. Aktualisht niveli final i hargjimit të energjisë është 1516 ktoe, në vitin 2024 arrin në 1706 ktoe e në vitin 2031 arrin në 1877 ktoe. Uroj të janë të qëlluar këto nivele të hargjimit të energjisë !!

Në kuadër të ruajtjes së shëndetit publik të qytetarëve si rezultat i ndotjes enorme nga termocentralet e reparteve të Kosovës A dhe reparteve të Kosovës B në strategji parashifen reduktime  jo reale të ndotësve mjedisor vetëm pas dy viteve në 2024 . Nuk mund të arrihen këto tregues të uljes së ndotësve mjedisor duke renovuar Dinosaurin (TC Kosova A) i cili ka mbi 50 vite jetë dhe në rrethana normale, shiquar aspektin ekonomike social e mjedisor, ky Dinosaur duhet të hiqet qafe. Edhe TC Kosova B nuk dallon edhe aq shumë në moshë nga TC Kosova A.

Aktualisht niveli i parametrave ndotës mjedisor në  Termocentralet A dhe B janë shumë mbi nivelet e lejuara të përqëndrimit të ndotësve mjedisor në shtetet e BE-së, edhe ate si vijon(TC Kosova A: Pluhuri mbi 50 mg/Nm³, NOx mbi 600 mg/Nm³, SO₂ mbi 600 mg/Nm³, pastaj TC Kosova B: Pluhuri mbi 300 mg/Nm³, Nox mbi 500 mg/Nm³, SO₂ mbi 600 mg/Nm³). Ndërsa në vitin 2024 parashifen të arrihen këto ulje të përqëndrimit të ndotësve mjedisor ( TC Kosova B1: Pluhuri 20 mg/Nm³, Nox 200 mg/Nm³, SO₂ 600 mg/Nm³,  TC Kosova B2: Pluhuri mbi 300 mg/Nm³, NOx mbi 500 mg/Nm³, SO₂ mbi 600 mg/Nm³, TC Kosova A3: Pluhuri 20 mg/Nm³, NOx mbi 200 mg/Nm³, SO₂ 600 mg/Nm³, TC Kosova A4 & A5: Pluhuri mbi 50 mg/Nm³, NOx mbi 600 mg/Nm³, SO₂ 600 mg/Nm³). Duke njohur në detaje problemet aktuale mjedisore, kontrollin shtetror dhe masat ndaj ndotësve si dhe nivelin e gjyqsorit aktual, fare pak pritet të arrihen këto synime mjedisore.

Bazuar në krizën energjetike që u krijua aktualisht në botë dhe luftën aktuale në Ukrainë, luftë e cila në shumicë po bëhet për resurse fosile energjetike dhe rikonfigurimin globale të infrastrukturës energjetike, Qeveria e Kosovës do duhej të reflektoj dhe të korigjoj skenarin aktual të  përzgjedhur në këte Draft të Strategjisë për Energji. Kosova, do të stabilizohet e rehatohet në kuptimin energjetik e besa edhe do të rrespektohet në regjionin tonë të trazuar, vetëm atëherë kur do të kemi stabilitet të furnizimit me energji në vend dhe eventualisht të eksportoj energji në vendet për rreth. Ky rehatim, mund të ndodh vetëm me instalimin e një kapaciteti të ri termoenergjetik në Kosovë, me teknologji moderne të paisjeve për sigurim të lëndëve të para, me teknologji moderne përpunuese, dhe në veqanti me paisje moderne me shkallë të  lartë për pastrim të ajrit ujit dhe tokës, si masë rigoroze e parandalimit dhe minimizimit shkallës së ndotjes në termocentrale e më gjerë.

Meqë jetëgjatësia normale e paisjeve teknologjike në një termocentral është 25-30 vjet, edhe pse vendi ynë, është nënshkruese e disa marrëveshtjeve regjionale e traktateve për Energji e Mjedis, Kosova duhet të investoj në termocentral të ri që të krijoj stabilitet real e të sigurt energjetik, kusht për zhvillim Ekonomik, Social e Mjedisor apo Zhvillim të Qëndrueshëm të vendit.

Kosova si vend me Zhvillim të Qëndrueshëm, do të jet shtet konkurues, i rrespektuar nga qytetarët e vendit dhe nga vendet e regjionit e me gjerë. Kosova me Zhvillim të Qëndrueshëm do të jet në gjendje ti plotësojmë e përballojmë edhe kërkesat mjedisore dhe obligimet e traktavete të ndryshme në nivel regjional e të BE. Vetëm investimi në termocentral të ri, qytetarëve tanë do t`iu ofroj furnizim të sigurt e të qëndrueshëm dhe me kosto konkuruese në shumicën e kohës. Ky skenar, në asnjë formë nuk do të eliminoj fare diverzitetin e furnizimit me energji nga burimet e ripërtritshme të Energjisë dhe interkonekcioneve tjera regjionale e ndërkombtare dhe caqet tjera të vendosura në këte draft të Strategjisë,

Prishtinë 18.07.2022                                        Dr.Sc. Sylejman Berisha, ligjërues dhe ekspert mjedisor

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ilir Shaqiri dhe Sabiani kanë patur një shoqëri mjaft të…