‘Duhet ta kem një rol në këtë vend’: Në muajin qershor Hoxhaj kishte shprehur ambicie për kryetar të PDK-së
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili sot ka kërkuar nga Kryesia e PDK-së që të shtyhet konventa për zgjedhjen e kryetarit, gjatë këtij viti nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të qenë të krye të partisë.
Gjatë një interviste në “Rubikon”, në qershor të këtij viti, Hoxhaj kishte treguar për nevojën e PDK-së për të pasur zgjedhje të brendshme.
“Konventa e fundit ka qenë vetëm zgjatje e mandat të kryetarit të partisë. Natyrisht se është dashur me e formalizu me votë. Por, nuk ka pasur zgjedhje. Zgjedhje për të cilat ka nevojë PDK-aj, që ato zgjedhje të mbahen në çdo nivel. Të mbahen në nëndegë, në degë, të mbahen për të gjitha forumet e PDK-së”, kishte thënë ai.
Më tej, ai kishte treguar se pse nuk kishte konkuruar në konventën e fundit.
“Nuk ia vlen për 12 muaj. Mendoj se dikush që garon për pozitën e të parit të paritë. Se pari, duhet ta ketë në konsideratë garën e jashtme, sepse partitë politike përgatiten për garë të jashtme. Cila do të ishte ideja, nëse procesi zgjedhor do ta lëndonte dhe PDK-ja humb ndonjë komunë dhe unë nuk kam dashur të bëhet mollë sherri që të ndodh diçka e tillë. Se dyti, mendoj se procesi zgjedhor duhet të përgatitet, ku paraqiten kandidaturat, platformat, vijmë dhe bisedojmë në studio televizive për atë pse dikush e sheh veten të domosdoshëm që të jetë krye të partisë politike”, ishte shprehur ai.
Kur ishte pyetur nga autori i emisionit, nëse ka ambicie për kryetar të PDK-së, Hoxha nuk e kishte mohuar.
“Nëse bota mendon se temat e politikes së jashtme duhet të jenë temat kryesore dhe unë vijë prej politikes së jashtme, mendoj se duhet ta kem një rol në këtë vend”, kishte thënë Hoxhaj.



