Duhet të rritet llogaridhënia në të gjitha ndërmarrjet publike

17 shtator 2018 | 10:53

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala, ka thënë se është çasti i fundit kur kryesuesit e Ndërmarrjeve Publike (NP) në vend duhet të reflektojnë dhe t’i menaxhojnë situatat e krijuara konform ligjeve në fuqi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ka thënë se Ndërmarrjet Publike (NP) duhet të jenë në trend me zhvillimet e tregut dhe konkurrencës së lirë.

“Nivelet menaxheriale të ndërmarrjeve duhet të jenë në nivelin e duhur menaxhues, sidomos në fazën e planifikimit afatmesëm dhe afatgjatë. Duhet të jenë në trend me zhvillimet e tregut të lirë dhe konkurrencës dhe se politikat financiare duhet t’i kenë në përputhshmëri, harmoni të plotë me aftësitë hyrëse financiare të ndërmarrjes. Po ashtu, duhet rritur llogaridhënia në të gjitha NP-të, në raport me aksionarin e në këtë kuptim dhe harmonizimi i pagave dhe shpenzimeve të tjera investive. NP-të dhe nivelet menaxhuese duhet të mendojnë dhe punojnë që të jenë likuide dhe të jenë kontribuuese të buxhetit të shtetit. Pra, konsideroj se është momenti i fundit që të gjitha ndërmarrjet dhe agjencitë e tjera ta arsyetojnë qëndrueshmërinë e tyre”, ka thënë Berisha Shala, duke shtuar se në Postën e Kosovës duhet të ketë nivelim të pagave në mënyrë që të dilet nga kriza financiare.

“Sigurisht se do të duhej të kishte nivelizim të pagave. Kjo do të shmangte edhe mbi punësimin në ndërmarrje publike. Nga ana tjetër, politikat menaxhuese me NP-të janë të rregulluara me ligjet në fuqi”, është shprehur Berisha-Shala.

Në këtë intervistë, Berisha-Shala, e cila është deputete nga radhët e PDK-së, ka folur edhe për situatën politike në vend, problemet në ndërmarrjen “Trepça” dhe për Postën e Kosovës. Sa iu përket problemeve të gërshetuara në mes të politikës dhe sindikatës në “Trepçë”, ajo ka thënë se në këtë ndërmarrje ka interferenca politike të bllokimit me qëllim të bllokimit të saj.

Në këtë kontekst, ajo ka akuzuar dhe polin opozitar që, sipas saj, “po veprojnë për çështje të çastit dhe poenë politike”. Po ashtu, ajo ka thënë se për gjendjen në “Trepçë” një pjesë të përgjegjësisë e ka edhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE). “Një pjesë të përgjegjësisë është edhe te Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) dhe mekanizmat e tjerë menaxhues që ndërlidhen me hartimin e draftstatutit me hartimin e draftstatutit me harmonizimin e kërkesave sindikale”, ka deklaruar Berisha-Shala.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli i Chelseat, Eden Hazard, ka thënë se Oliver Giroud…