
‘Duhet të vazhdojë të punojë’, trajneri i Burnleyt i jep mbështetje Armando Brojës
Sulmuesi shqiptar Armando Broja ende nuk ka nisur si titullar në Ligën Premier për Burnley, pas transferimit të tij verën e kaluar nga Chelsea.
24-vjeçari ka marrë minuta vetëm në Carabao Cup, kundër Derby County dhe Cardiff City, ku performanca e tij ka treguar se është ende larg formës më të mirë. Kjo lidhet edhe me serinë e dëmtimeve të rënda që kanë penguar karrierën e tij në dy vitet e fundit.
Trajneri i Burnleyt, Scott Parker ka kërkuar durim nga tifozët në lidhje me rikthimin e Brojës në formën optimale.
“Shikoni, mendoj se Amando ka nevojë për punë në këtë moment. Ai nuk ka pasur shumë futboll gjatë dy viteve të fundit. Duhet të jemi të qetë me të”.
“E pamë një version më të mirë në këtë ndeshje krahasuar me raundin e kaluar, por ende i mungojnë minutat dhe stërvitja. Ai duhet të vazhdojë të punojë”, deklaroi ai.
Parker theksoi se Broja mbetet një lojtar kyç për Burnleyn këtë sezon, por ekipi duhet të tregojë kujdes dhe t’i japë kohën e nevojshme për t’u rikuperuar plotësisht.
Ndërkohë, Shqipëria mbështetet te Armando Broja për dy sfidat e rëndësishme të muajit nëntor në kuadër të kualifikuesve për Kupën e Botës. /Telegrafi